Vetëvendosje e quan skandal rekrutimin e noterëve të rinj
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë vlerësuar si skandal procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.
Deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se edhe pse po thuhet se kriteret për liberalizimin e vizave janë përmbushur, kriteret më të rëndësishme nuk po e dëshmojmë se po luftohen krimi i organizuar, keqpërdorimet dhe korrupsioni.
“Ministria e Drejtësisë në vend që të japë kontribut në rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave në këtë drejtim, i del në shesh skandali i rekrutimit të noterëve të rinj”, ka thënë Haxhiu të premten gjatë një konferencë për medie.
Sipas saj, tek tani po kuptohet se pse ministri i Drejtësisë vazhdimisht tregonte për shtimin e numrit të noterëve. “Qartë po shihet pse Tahirit i ka interesuar rritja e numrit të noterëve të rinj, tani ka dalë lista dhe jemi të vetëdijshëm që në mesin e tyre ka të tillë që e kanë kaluar testin në bazë të profesionalizmit, por ne mendojmë se ky proces ka qëllim dhënien e licencës për noterë dhe njerëzve të tyre duke vazhduar me kapjen e shtetit”, ka deklaruar Haxhiu.
Kurse, deputetja tjetër e LV-së, Fitore Pacolli, ka vlerësuar se shtetet anëtarë të BE-së po hezitojnë ta mbështesin Kosovën për liberalizim të vizave pikërisht për shkak të korrupsionit në vend. “Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, por me keqpërdorime të tilla këtë nuk mund ta bëjnë”, ka deklaruar Pacolli.
/Epoka e re/