Vetëvendosje: Ekipi i pamandatuar nuk mund të negociojë për Kosovën

18 korrik 2018 | 15:47

Lëvizja Vetëvendosje (LV) nëpërmjet një komunikate për medie ka kundërshtuar shkuarjen e liderëve shtetërorë të Kosovës në Bruksel, duke thënë se ky ekip është i pamandatuar dhe nuk mund të negociojë për Kosovën.

“Sot një delegacion me krerët më të lartë shtetërorë, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, pra me personat më kontravers në vend, kanë shkuar në Bruksel për të nisur fazën përmbyllëse të negociatave politike me Serbinë, si dhe për ta tregtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Përzierja e këtyre dy temave është në vetvete kriminale, si dhe momenti i zgjedhur për lëshimet që ia bëjnë Serbisë e Vuçiqit duke i fshehur ato nën lajmin rreth liberalizimit të vizave. Sikur nuk mjaftoi dorëzimi i 8200 hektarëve, tash duhet Kosova të bëjë edhe lëshime të tjera prej sovranitetit të saj”, është theksuar në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas kësaj lëvizje, qeveritarët ndoshta po përgatisin fishekzjarrë për ta festuar liberalizimin, por vajtja e tyre në dialog me Vuçiqin nuk është as konsensuale, as legjitime dhe as ligjore.

“Opozita e ka kundërshtuar shumë këtë mënyrë të dialogimit dhe negocimit, dhe sot ajo është shumica e popullit. Parlamenti nuk e ka mandatuar këtë ekip, e sidomos Hashim Thaçin për të negociuar. Ndaj ky proces, nuk do të njihet. Në Bruksel po bëjnë pazar pa hanxhinë, kanë fluturuar atje pa shkuar fillimisht në Kuvend. Këta e kanë kundër, jo vetëm Vetëvendosje, por gjithë opozitën dhe shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës për t’i shmangur planet e kamotshme katastrofale të Serbisë për Kosovën”, është theksuar më tutje në komunikatën e Vetëvendosjes.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ),…