Vetëvendosje: Fati i të pagjeturve mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb
Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me ish-deputetë, anëtarë të Kryesisë dhe aktivistë të kësaj lëvizje kanë bërë homazhe në sheshin “Skënderbeu” para përmendores dedikuar të pagjeturve të luftës.
Kjo lëvizje nëpërmjet një njoftimi për medie, ka theksuar se fati i të pagjeturve mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb.
“Prej luftës së fundit në Kosovë fati i 1652 të pagjeturve ende mbahet peng në errësirat e zyrave të shtetit serb. Familjarët e tyre ende kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë për ta. Fati i të pagjeturve është ngushtësisht i lidhur me fatin tonë, të mos kërkosh drejtësi për ta do të thotë ta zhdukësh veten prej drejtësisë. Paqja, ardhmëria dhe zhvillimi nuk e mbushin kurrë boshin dhe mungesën e tyre. Brenga për të pagjeturit na mëson se paqen në jetë e sjell vetëm vendosja e drejtësisë”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
/Epoka e re/