Vetëvendosje fton LDK-në për organizim të protestave kundër Thaçit
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur të enjten mbledhje të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryetari Albin Kurti, në të cilën është shqyrtuar gjendja politike në vend.
Pas diskutimeve të anëtarëve të Kryesisë së LV-së u mor vendim për t’i bërë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për organizimin e përbashkët të protestave.
Nga kryesia e Vetëvendosjes janë ngarkuar kryetari i kësaj lëvizje, Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, që të vendosin kontaktet dhe të zhvillojnë takim me udhëheqjen e LDK-së.
“Është e nevojshme që më së largu nesër të përcaktohet data e protestës”, është thënë në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje “presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet”.
“Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re”, është theksuar në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas LV-së, institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë.
“Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e LV-së.
/Epoka e re/