Vetëvendosje fton opozitën në dialog, AAK-ja përgjigjet pozitivisht (Video)
Ka kaluar më shumë se një vit prej kur janë pezulluar bisedimet Kosovë-Serbi. Tani kur pritet të formohet qeveria e re është duke u kërkuar që të ketë një përfshirje të të gjitha partive në procesin e dialogut.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ka deklaruar se dialogun do ta udhëheqë ai, ndërsa ka thënë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.
Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë për “Kosovapress” se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.
I pyetur se a është AAK-ja e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë dhe të jetë pjesë e delegacionit shtetëror për bisedimet, Haradinaj ka thënë se e përkrahin vendin dhe se në tema të interesit nacional duhet të jenë të gjithë bashkë.
Përveç AAK-së, “Kosovapress” ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, parti të cilat do të jenë në opozitë, por zyrtarë të dy partive nuk i janë përgjigjur interesimit të redaksisë se a do të pranojnë të jenë pjesë e delegacionit për bisedimet me shtetin serb.
Konsensus dhe përfshirje të të gjitha partive politike në procesin e dialogut është duke kërkuar edhe shoqëria civile dhe analistët politikë.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që spektri politik të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.