Vetëvendosje ‘kërkon kohë’, Kosova rrëshqet drejt recesionit – deficiti tregtar kap shifrën alarmante prej 19 miliardë euro

23 prill 2025 | 23:41

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe përgjegjëse për formimin e institucioneve, vazhdon të zvarrisë në pafundësi nisjen e afateve kushtetuese për formimin e qeverisë së re – Kosova po rrëshqet në një trajektore alarmante ekonomike. Treguesit kyç, si bilanci tregtar dhe inflacioni, po shënojnë përkeqësim eksponencial, pikërisht në një periudhë kur ekspertë ekonomikë paralajmërojnë me pothuajse siguri të plotë se një recesion i gjerë ekonomik është i pashmangshëm.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregtinë e jashtme të mallrave gjatë muajit mars, deficiti tregtar i vendit ka pësuar një rritje enorme prej 21.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Krahas rritjes së vazhdueshme të importeve, që po shënojnë ritme të larta krahasuar me muajt paraprakë, në këtë përkeqësim të bilancit ka ndikuar dukshëm edhe një tkurrje prej 7.2 për qind e eksporteve.

Rënia e dukshme e prezencës së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare ishte evidente edhe muajt e mëparshëm të këtij viti. Vetëm në janar, deficiti tregtar arriti në 414.1 milionë euro – një rritje dramatike prej 29.6 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024.

Ky trend negativ vijoi edhe në muajin shkurt, me deficitin që u ngjit në 451.4 milionë euro, një rritje prej 13.6 për qind nga viti paraprak. Eksportet ranë me 4.3 për qind, duke u ulur në 67.3 milionë euro, ndërkohë që importet u rritën ndjeshëm, duke arritur në 518.6 milionë euro – një rritje prej 10.9 për qind.

Në total, gjatë katër viteve të fundit, deficiti tregtar kumulativ i Kosovës ka tejkaluar shifrën e 19 miliardë eurove – një statistikë që qëndron si dëshmitar përgenjështrues i pretendimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për orientimin e vendit drejt eksporteve.

Paralelisht me përkeqësimin e deficitit tregatr, Kosova po hyn në një fazë të re të presionit inflacionist, me çmimet që kanë shënuar rritjen më të madhe vjetore që nga fundi i vitit 2023

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë për një kërcim të ndjeshëm të inflacionit në muajin mars 2025, duke reflektuar, sipas ekonomistit Edison Jakurti, pritjet për rritje të çmimeve në dritën e diskutimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Të dhënat e ASK-së për ndryshimin vjetor të çmimeve në bazë mujore kanë filluar ta tregojnë atë që e kemi ditur e thënë më herët: pritjet për rritjen e çmimeve mund të ndikojnë vetë në rritjen e çmimeve.” – tha Jakurti mes tjerash në Facebook.

Inflacioni u rrit nga 1.7 për qind në shkurt në 2.9 për qind në mars – niveli më i lartë i regjistruar që prej nëntorit 2023. Rritja është edhe më e theksuar në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, ku ndryshimi vjetor i çmimeve arriti në 6.7 për qind në mars, nga 4.4 për qind në muajin paraprak.

Kujtojmë se ish-kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi dje se, nëse Trump nuk tërhiqet nga tarifat, mundësia për një recesion në ShBA dhe më pas një recesion global është “gati 100%”.

“Trump mori një ekonomi që e quajti të tmerrshme, por që në të vërtetë ishte në gjendje shumë të mirë, dhe unë mendoj se gjasat për një recesion janë mjaft të larta – në fakt mendoj se parashikimet e FMN-së janë goxha bujare. Nëse Trump nuk tërhiqet, gjasat për një recesion janë pothuajse 100%.” – tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besim Rushiti, shpall të pavlefshme dëftesën e shkollës fillore “Harun…