Vetëvendosje kërkon angazhim për të drejtat e punëtorëve
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha- Kollçaku dhe nënkryetari i kësaj lëvizje, Besnik Bislimi, kanë kërkuar nga mediet që të vazhdojnë ta kryejnë punën e raportimeve dhe së bashku ta kenë në fokus çdo rast të aksidenteve të punëtorëve në punë.
Mullhaxha-Kollçaku ka thënë se mediet duhet të bëjnë presion që ligjet e punës të zbatohen në praktik.
“Angazhohen punëtorët për gjashtë muaj dhe pastaj i dërgojnë në shtëpi dhe më pas i shfrytëzojnë persona të tjerë. Kjo temë është me rëndësi dhe duhet të ndalet abuzimi me të rinjtë tanë”, ka deklaruar Mullhaxha-Kollçaku.
Ndërsa, Besnik Bislimi, ka theksuar se Kosova ka dhjetëfish më shumë persona të punësuar për komoditetin e zyrtarëve publikë se inspektorë që kujdesen për të drejtat e punëtorëve.
“Inspektorati i Punës ende punon me ligjin e vitit 2002. Këta inspektorë kanë arritur të bëjnë më shumë se 230 gjoba gjatë vitit dhe zero raste me diskriminim gjinor”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka potencuar edhe problemet e shumta me të cilat ballafaqohen punëmarrësit, duke iu ekspozuar rreziqeve jofatale dhe fatale pa dëmshpërblim.