Vetëvendosje kërkon debat parlamentar për demarkacionin
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se më 9 mars ka proceduar kërkesën për debat parlamentar lidhur me të gjeturat e Raportit të Komisionit shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare me Malin e Zi.
Në njoftimin për medie, kjo parti politike, ka treguar se paralelisht me të, në emër të grupit parlamentar kanë bërë kërkesën edhe për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
LV-ja, ka vlerësuar se padrejtësisht deputetët e Kuvendit nuk kanë pasur mundësi asnjëherë që ta diskutojnë raportin e këtij komisioni.
Sipas LV-së, raport është profesional dhe i cili dëshmon se kjo marrëveshje cenon rëndë integritetin territorial dhe dëmton interesat strategjike dhe ekonomike të Kosovës. “I bëjmë thirrje kryetarit të Kuvendit që sa më parë ta thërrasë mbledhjen e Kryesisë dhe ta vendosë për diskutim në seancë plenare kërkesën për debatin parlamentar lidhur me Raportin e përgatitur nga Komisioni aktual”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.