Vetëvendosje kërkon nga institucionet të garantojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit

15 shtator 2019 | 13:53

Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka shprehur përkushtimin në mbrojtje të votës në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Sipas kësaj lëvizje, në këto zgjedhje nuk do të lejohet çfarëdo përpjekje apo tendence për ta deformuar vullnetin e votuesve.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë marrë kuptim me praninë e komisionerëve dhe të vëzhguesve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër vendvotime e qendra të votimit. Roli i komisionerëve dhe vëzhguesve tanë ka qenë vendimtar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa, në zgjedhjet e 6 tetorit jemi edhe më të përgatitur e më të mobilizuar për të mos lejuar çfarëdo përpjekje apo tendence për ta deformuar vullnetin e votuesve. Komisionerët dhe vëzhguesit e Lëvizjes do të jenë gardian të secilës votë, të secilit qytetarë pa dallim. Në ditët e javët në vijim, do të zhvillojmë takime mobilizuese, e trajnime profesionale me të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve për të mundësuar zgjedhje të lira, të ndershme e në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare”, është thënë në komunikatën e LV-së.

Vetëvendosje ka kërkuar nga institucionet që të garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 6 tetorit.

“Ftojmë të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse për të përgatitur apo garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme institucionale që garantojnë pacenueshmërinë e zgjedhjeve”,është theksuar më tutje në komunikatë.

Po sipas Vetëvendosjes, ndryshimi i madh ka qenë vazhdimisht i nevojshëm, por kësaj here është edhe i mundshëm po aq sa i domosdoshëm.

“Zgjedhjet e 6 tetorit janë shumë më shumë se sa vetëm zgjedhje. Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote do t’i japin fund keqqeverisjes, e do t’i hapin rrugë një kulture krejtësisht tjetër të qeverisjes së mirë, të ndershme, transparente e nga profesionistë të thekur. Ndryshimi i madh ka qenë vazhdimisht i nevojshëm, por kësaj here është edhe i mundshëm po aq sa i domosdoshëm. Mbështetja e madhe për Lëvizjen, është dëshmi për ndryshimin e madh që po vjen. Por, përkrah mobilizimit për ndryshim, strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar tashmë mobilizimin për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të për garantuar paprekshmërinë e vullnetit të votuesve”, është thënë në këtë komunikatë.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga shqiptarët…