Vetëvendosje kërkon që Prokuroria Speciale të hetojë rastin Dehari, jo ajo e Prizrenit

24 tetor 2019 | 17:19

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që me hetimet për rastin e Astrit Deharit të merret Prokuroria Speciale dhe jo ajo e Prizrenit pasi, sipas saj, nuk ka besueshmëri.

“Më 5 nëntor të këtij viti bëhen tri vjet që kur u vra aktivisti jonë Astrit Dehari. Pak ditë para se të bëhen tri vjet u bë publik raporti i Institutit zviceran ku uU konfirmua ajo që kishte thënë familje dhe ne”.

“Ai nuk u vetëvra por është vrarë dhe atë vetëm se ishte aktivist i Vetëvendosjes. Pas publikimit të këtij raporti ne kërkojmë që Prokuroria e Prizrenit të mos merret me hetimin e ri me rastin e Astrit Deharit”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për medie.

Ajo ka thënë se Prokuroria në Prizren nuk mund të sigurojë e as të ndërtojë besueshmërinë mbi hetimin e këtij rasti. “E njëjta Prokurori ka humbur besimin dhe është involvuar në këtë rast dhe nuk mund të sjellë hetime objektive në këtë rast”, është shprehur Haxhiu.

Më tutje, Haxhiu ka thënë se të gjithë zyrtarët e përfshirë në vdekjen e Astrit Deharit duhet të shkarkohen dhe të vihen para drejtësisë.

“I bëjmë thirrje për nisjen e hetimeve të brendshme për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë qoftë drejtuesit e institucioneve, qoftë zyrtarëve në Shërbimin Korrektues, qoftë në Polici, Prokurori, por dhe gjyqtarët e burgjeve në Prizren duhet të shkarkohen dhe t’i hapim rrugë hetimit të pavarur”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së kësaj lëvizje, Sami Kurteshi, duke folur për kronologjinë e rastit, ka thënë se inskenimi i sulmit me predhë në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte bërë sa për ta fajësuar Vetëvendosjen, të cilën sipas tij asokohe pushteti e kishte halë në sy dhe për arsye të caktuara politike e luftonte me të gjitha mjetet që kishte.

Ai ka thënë se raporti i ekspertëve nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nxjerrë përfundimin e njëjtë sikur raporti i Mjekësisë Ligjore në Llozanë tani, që nuk ka qenë vetëvrasje por vrasje, duke denoncuar elementet e pushtetit, sidomos në media, që provuan ta shtrembërojnë e mbysin këtë të vërtetë përmes dezinformatave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, të…