Vetëvendosje kërkon ridraftimin e Projektligjit për pagat
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, dhe Arbërie Nagavci, në një konferencë për medie kanë kërkuar të mërkurën që të ridraftohet Projektligji për pagat.
Ata kanë thënë se kjo Qeveri ka rritur paligjshëm pagat vetes duke hartuar një projektligj që nuk i rregullon aspak problemet me pagat e sektorit publik.
Sipas tyre, një nga problemet kryesore në sektorin publik në Kosovë është kaosi me pagat e të punësuarve, pabarazia në paga për pozita ekuivalente, jotransparenca gjatë klasifikimit të pozitave por edhe diskriminimi për kategori të caktuara.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se kjo parti konsideron që projektligji ka nevojë për ridraftim komplet të projektligjit në mënyrë që versioni final i tij t’i shmangë gjithë anomalitë e evidentuara në versionin e tanishëm.
Edhe deputetja e kësaj lëvizje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ky projektligj ka shumë të meta, paqartësi dhe gabime logjike.
Ajo ka theksuar se ky projektligj është duke e bërë konfuze çështjen e mëditjeve dhe të pagave.
“Të gjitha problemet dhe mangësitë e kësaj fushe, Qeveria e Kosovës synon t’i mënjanojë përmes projektligjit për paga, një dokument prej 11 faqesh. Në vend të një dokumenti profesional që do të adresonte këto probleme të lidhura me kompensimin e të punësuarve në sektorin publik, Qeveria ka draftuar një projektligj krejtësisht të pastrukturuar, plot e përplot paqartësi, gabime logjike e përmbajtësore, definicione gjysmake ose të pakuptimta, duke shtuar konfuzitetin e deritanishëm në sferën e pagave dhe mëditjeve për sektorin publike”, ka thënë deputetja Nagavci.