Vetëvendosje kërkon rinegocimin e demarkacionit me Malin e Zi
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nisë bisedimet me Malin e Zi për të korrigjuar gabimet e demarkacionit.
Deputetja e kësaj lëvizje Arbërie Nagavci, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj është dashur që çështjen e demarkacionit ta dorëzonte në prokurori dhe jo në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar qeveria Haradinaj të nis negociatat me shtetin malazez për demarkacionin.
“Konkluzioni i raportit të Bulliqit, konstaton se vija kufitare nuk është në përputhje me kufirin e ish krahinës autonome të Kosovës. Qeveria të nisë bisedimet me Qeverinë e Malit të Zi për të korrigjuar atë që ka ndodhur”, ka thënë Nagavci në një konferencë për medie.
Ndërsa deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Ali Lajçi, u ka bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë këtë version të demarkacionit.
“Kufijtë e këtij versioni janë kufi të delimitimit dhe demaskimit që nuk lejohen as në pikëpamjet e të drejtave ndërkombëtare. Ne duhet ta bëjmë ratifikimin e variantit që është faktit dhe duhet të vendosim kufi paqësor dhe jo të konfliktit”, ka thënë Lajçi.