Vetëvendosje kërkon zbatimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore
Në ditën botërore të shëndetit, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, ka thënë se moszbatimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor Publik ka bërë që shumë qytetarë të këtij vendi të prekur nga sëmundjet e në veçanti ato malinje ose të kërkojnë shërim me kosto të lartë jashtë vendit ose në pamundësi të mjeteve financiare të bredhin pa shpresë.
Në një konferencë për medie ajo ka thënë se kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor privat po zhvatin xhepat e qytetarëve duke kërkuar klientë që janë gati 100 % të shëndoshë nën moshën 65 vjeçare dhe pa dosje shëndetësore.
“BQK-ja e cila mbikëqyrë këto kompani ende nuk ka përmbushur kërkesën e cila del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për raportim, lidhur me veprimtarinë e kompanive të sigurimeve. Ky njëherësh është edhe obligim ligjor”, ka deklaruar Kollçaku-Mulhaxha.
Ajo ka theksuar se kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore, e që pas diagnostifikimit të klientit të tyre me ndonjë sëmundje, provojnë ta ndërpresin kontratën me të duhet të japin përgjegjësi para institucioneve të Republikës deri në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre, po që se është nevoja.
Kollçaku-Mulhaxha ka thënë se ka dyshime të bazuara që Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik qëllimisht po prolongohet, me qëllim që të mirëmbahet monopoli i kompanive private në treg.
“Para ligjit duhet të jemi të barabartë dhe të kemi qasje në të mirat shëndetësore. Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik duhet të zbatohet, dy rezolutat e kaluara në Kuvendin e Republikës të merren parasysh dhe BQK-ja t’i mbikëqyrë kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore”, është shprehur ajo.
/Epoka e re/