Vetëvendosje kërkon zgjedhje të menjëhershme, preferon bashkëqeverisje me LDK-në
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, dhe kryetari i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, kanë shprehur shqetësimin e kësaj lëvizje për vendimet të cilat është duke i marrë qeveria në dorëheqje.
Konjufca ka thënë se vendimet e qeverisë në dorëheqje janë të dëmshme për vendin. “Vendimet nuk po ndalen edhe kur kjo qeveri është në dorëheqje, e ndoshta është qeveria e vetme në botë që edhe pas dorëheqjes po i rritet numri i zëvendësministrave. Ndoshta ky do të jetë edhe akti i fundit komik i kësaj qeverie e cila thotë se është duke shkuar por në të njëjtën kohë zëvendës-ministrat nga 80 bëhen 82”, ka thënë Konjufca në një konferencë për medie.
Konjufca ka thënë se Vetëvendosje preferon opsionin e një qeverie të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Në këtë kontekst, ai ka thënë se e vetmja ftesë e pranueshme nga presidenti Hashim Thaçi në këtë moment, është ajo për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. “Qytetarët presin ndryshim, dhe nuk do të pranohen makinacionet presidenciale që do të synojnë shmangien e zgjedhjeve”, është shprehur Konjufca. Ndërsa, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, në këtë konferencë për medie ka vënë në dukje se roli i qeverisë së dorëhequr duhet të jetë vetëm transitor. “Pra të mirëmbajë funksionimin normal të administratës publike dhe kryerjen e pagesave rutinore në pajtim me buxhetin e aprovuar të vendit. Rrjedhimisht kompetencat e qeverisë tranzitore janë tejet të limituara”, është shprehur Bislimi.
Ai ka thënë se qeveria aktuale nuk ka më mandat për të implementuar program qeverisës dhe nuk mund të marrë asnjë vendim që ndikon negativisht aftësinë e qeverisë në ardhje për të implementuar programin e saj qeverisës. “Kjo qeveri nuk guxon të paraqitet në emër të Kosovës lidhur me ndonjë marrëveshje sa i takon Serbisë apo çështje që ndërlidhen me marrëveshje të mëhershme me të”, ka thënë Bislimi.
Ai ka theksuar se qeveria në dorëheqje nuk mund të merret me përgatitjen e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. “Nuk mund të implementojë asnjë projekt madhor infrastrukturor, vazhdojë asnjë kontratë me peshë financiare e me ndikim ekonomik dhe iniciojë asnjë reformë institucionale apo ekonomike. Nuk mund të emërojë asnjë zyrtar në pozita të larta në hierarkinë politike institucionale apo në ndërmarrjet publike e shtetërore, agjencitë e pavarura dhe stafin diplomatik të vendit”, është shprehur Bislimi.
Më tutje, Bislimi ka thënë se qeveria në dorëheqje nuk guxon të ndërmarrë asnjë hap, pasi sipas tij, çdo aventurë e saj do të anulohej nga qeveria e ardhshme që në ditën e parë të punës.
Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të ndërpresë çdo aktivitet që ndërlidhet me termocentralin e ri në Kosovë apo me shkatërrimin e lumenjve të vendit përmes lejimit të operimit jashtëligjor të hidrocentraleve.
Po ashtu, Bislimi ka thënë se qeveria në dorëheqje duhet të ndërpresë çdo nismë që lidhet me operatorë privatë apo marrëveshje të ngjashme sa i përket ndërmarrjes publike “Trepça”.
Gjithashtu, ai ka shtuar qeveria aktuale duhet të ndërpresë çdo aktivitet që ndërlidhet drejtpërdrejt apo indirekt me privatizimin e Telekomit të Kosovës, si dhe ndalimin e futjes së Telekomit në borxhe me synim të transferimit të milionave drejt marrëveshjeve haptazi të korruptuara me “Z-Mobile”.
Nënkryetari i Vetëvendosjes ka pohuar se qeveria në dorëheqje duhet t’i ndërpresë aktivitetet që ndërlidhet me autostradën e planifikuar të Dukagjinit, synimet për vazhdimin e monopolit në fushën e homologimit dhe ndërprerjen e çdo aktiviteti nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ndërlidhet me procesin e kompromentuar të botimit të teksteve shkollore.
/Epoka e re/