Vetëvendosje: Komuna e Lipjanit shpenzoi 8 000 euro për dreka zyrtare
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se raporti nëntëmujor i shpenzimeve në Lipjan ka nxjerr në pah mënyrën e shpenzimeve të parasë publike, mungesën e një buxheti zhvillimor dhe të mirëqenies, por edhe harxhimet e mëdha për dreka zyrtare.
Sipas kësaj lëvizje, Komuna e Lipjanit në nuk flet aspak për shfrytëzim racional të parasë publike. “Kur kanë mbetur vetëm edhe tre muaj deri në përfundim të vitit financiar, thuajse në secilën kategori ekonomike kur bëhet fjalë për shpenzimet për pasuritë jofinanciare apo investimet kapitale vërehen shpenzime të ulëta të buxhetit të planifikuar. Kudo nëpër investimet kapitale, përqindja e shpenzimeve shkon pak mbi 50 për qind, ndërsa gjysma e buxhetit për investime ka mbetur e pashfrytëzuar, në një kohë kur nevojat e qytetarëve të komunës së Lipjanit janë të mëdha. Për më tepër, një qeverisje që për nëntë muaj ka shpenzuar vetëm 50 për qind të buxhetit për investime kapitale, e lë të hapur mundësinë që gjysma tjetër të harxhohet shkel e shko gjatë tre muajve të mbetur, pa vlerësim e planifikim të duhur dhe pa respektuar procedurat. Mbi 38 projekte të planifikuara, masa e shpenzimeve është zero”, është thënë në reagimin e Qendrës së Vetëvendosjes në Lipjan.
Kjo lëvizje ka theksuar se vetëm për dreka zyrtare gjatë këtyre nëntë muajve janë shpenzuar rreth 8 000 euro, ndërsa për furnizim me pije dhe ushqim mbi 20 000 euro.
/Epoka e re/