Vetëvendosje mbështet ‘Marshin për drejtësi’, në përkrahje të liderëve të UÇK-së

31 mars 2023 | 16:31

Lëvizja Vetëvendosje (LV), partia më e madhe në Kosovë dhe drejtuese e qeverisë, e ka përkrahur marshin solidarizues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

LV-ja nëpërmjet “Facebook”-ut ka theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës është një prej ngjarjeve më të lavdishme historike.

“Lëvizja Vetëvendosje! mbështet ‘Marshin për drejtësi’ që do të mbahet këtë të diele me 2 prill prej orës 14:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.  Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë.  Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës. Ne jemi të bindur se ata do ta tejkalojnë me faqe të bardhë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i LV-së, Albin Kurti, mbrëmë në një intervistë televizive ka thënë se nuk ka dëgjuar për “Marshin për Drejtësi”, i cili është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayerni Munchen do të luajë të shtunën një super duel…