Vetëvendosje me aksion simbolik për festën e 8 Marsit (Foto)
Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar të premten një aksion simbolik, me ç’rast në muret e institucioneve aktivistet e kësaj lëvizje kanë shkruar parullën: “Barazi në institucione, në punë dhe në pronë”.
Sipas kësaj lëvizje, kjo parullë synon të theksojë pabarazinë e madhe shoqërore në vendin tonë, ku gruaja është shumëfish më e shtypur.
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosjes në Gjilan, Arbëresha Kryeziu, ka thënë se prania e gruas në institucionet e Kosovës është krejt simbolike. “Jo rrallë kjo prani është mbulesë e shëmtuar për shtypjen që i bëhet grave dhe vajzave. Madje gjoja-përfaqësimi bëhet edhe për të çuar përpara projekte të dëmshme si për shoqërinë ashtu edhe për vetë gruan. Ç’kuptim ka të flasësh për praninë ose jo të grave në delegacione, komisione e borde kur ato ndërtohen me misionin për negociata pa kushte, për privatizimin e aseteve publike, ose për krijimin e privilegjeve të reja për padronët e vjetër”, ka thënë Kryeziu.
/Epoka e re/