“Vetëvendosje më së shumti shkelje në rrjetet sociale gjatë fushatës”
Lëvizja Vetëvendosje është partia me më së shumti shkelje gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, e pasuar nga AAK-ja, PDK-ja dhe LDK-ja.
Kjo është bërë me dije të martën në raportin “Monitorimi i deklaratës së mirësjelljes në media sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2021”, të lansuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).
Drejtoresha ekzekutive e Institutit Demokracia për Zhvillim (D4D), Rezarta Krasniqi, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë partia politike më e shënjestruar sa i përket shkeljeve me 67 për qind.
“Në raundin e parë dhe të dytë kemi angazhuar 11 monitorues. Kemi arritur që t’i analizojmë mbi 6000 artikuj. Sa i përket partive politike, LV-ja me 67 për qind është partia më e shenjëstruar, AAK-ja me 27 për qind, LDK-ja me 11 për qind, ndërsa PDK-ja me vetëm 6 për qind. Është përqindja më e lartë e shprehjes së urrejtjes së grave kandidate. Kemi hasur në tituj të ekzagjeruar në shtrembërim të deklaratave. Përdorimi i rrjeteve sociale gjatë fushatës ka qenë shumë i madh”, ka thënë ajo ajo.
Ndërsa Mark Baskin nga Qendra për Dialog Humanitar, e ka cilësuar projektin e D4D si shumë të rëndësishëm për Kosovën. Ai ka thënë se një nga fushat që kanë qenë të interesuar, janë konfliktet digjitale.
“Vitet e fundit kemi qenë të interesuar të punojmë edhe në Kosovë. Është projekt shumë i vlefshëm sepse është i rëndësishëm edhe për Kosovën. Ky pilotim është hap i rëndësishëm jo vetëm këtu, por edhe në suaza globale”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Allen Meta nga Instituti Demokraci për Zhvillim, ka thënë se kanë monitoruar dy raundet e zgjedhjeve në 38 komunat e Kosovës. Ai ka thënë se shkeljet më së shumti janë bërë në rrjetin social “Facebook”, ku edhe në këto shkelje prin Vetëvendosje.
“Është monitoruar raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjeve dhe kemi bërë shtrirje të madhe për këtë monitorim. 38 komuna të Kosovës janë monitoruar. 198 shkelje kemi gjetur në rrjetet sociale. Rrjeti social Facebook janë bërë 76 për qind të shkeljeve. Partitë më të shënjestruara kanë qenë LV-ja me më shumë shkelje 32 për qind, ku 34 për qind të shkeljeve janë bërë gjatë transmetimit në medie. Natyra e shkeljeve gjatë kësaj periudhe të zgjedhjeve ka qenë gjuha e urrejtjes në 62 për qind të rasteve. Ka pasur raste kur është përdorur tentim i qëllimshëm i dezinformomit të qytetarëve”, është shprehur Meta.