Vetëvendosje mohon se aktivistët e saj kanë sulmuar anëtarin e PDK-së në Ferizaj

29 tetor 2019 | 20:01

Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj ka reaguar lidhur me sulmin ndaj anëtarit të PDK-së Jakup Sabedini, duke mohuar se aktivistët e kësaj lëvizje kanë sulmuar atë.

“Ne si Qendër e Lëvizjes në Ferizaj, kemi mësuar vetëm përmes mediave. Pasi u interesuam, duke pyetur aktivistët tanë që drejtojnë në pikat tona në lagje e fshatra, ne mund të themi me siguri se nuk ka asnjë përfshirje aktivistësh në këtë ngjarje. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj shpreh keqardhjen për sulmin ndaj Jakup Sabedinit dhe urojmë që ai të bëhet mirë sa më shpejt. Po ashtu, presim nga organet e rendit që të gjejnë cilët kanë qenë sulmuesit e t’i vënë përballë përgjegjësisë ligjore”, është thënë në reagimin e LV-së në Ferizaj.

“Fakti se thuhet që ngjarja ka ndodhur para tre ditësh, e reagimi i PDK me akuza të pabazuara vjen vetëm sot, tregon se dikush po interesohet të nxisë opinionin publik, përmes shpifjeve e lajmeve të pavërteta. Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë, prandaj kryesit e vërtetë duhet të kërkohen diku tjetër. Dhuna është e dënueshme por dhe shfrytëzimi i emrit të Lëvizjes për shpifje e akuza të rrejshme si kjo është i padrejtë, ndonëse e kuptojmë që PDK-ja në këtë kohë nuk ka temë tjetër, e vetëm lajmet e pavërteta i shohin si mundësi për të kthyer vëmendjen”, është theksuar në këtë reagim.

Sipas LV-së, kërcënimet, dhuna, inskenimet e situatave kanë qenë formë e veprimit të pushtetit të mëparshëm, që fatkeqësisht në qytetin e Ferizajit po vazhdon. “Shpresojmë që rasti të shqyrtohet nga organet përkatëse e përgjegjësit të dënohen”, theksohet në reagimin e LV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin…