Vetëvendosje në Ferizaj nuk lejoi dy kandidatë për kryetar – eliminohet Valon Ramadani
“Qashtu qysh po qarkullon me gjasë nuk e kanë aprovu kandidaturën time”, i ka thënë Valon Ramadani Albanian Post-it, kur është pyetur për të konfirmuar lajmet se Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka aprovuar kandidaturën për kryetar dege në Ferizaj, duke shtuar kështu zërat për proces jo demokratik në zgjedhjet e brendshme të partisë më të madhe në vend.
Zyrtarisht Ramadani thotë se s’ka pranuar gjë akoma, por përshtypja është se partia e la jashtë gare, duke e shndërruar kështu Ferizajn në një tjetër komunë ku do votohet veç për një kandidat dhe nuk do të ketë garë.
Ramadani është deputet i Vetëvendosjes dhe ish-kandidat për kryetar komune në Ferizaj nga kjo parti.
Humbi zgjedhjet, pasi ato i fitoi kryetari aktual, kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Aliu.
“Është e vërtetë që kam kandiduar unë, e kam paraqitur kandidaturën time, por ka kandiduar edhe Fatbardha Zogaj (profesoreshë e matematikës)”, sqaroi Ramadani për AP-në.
“Tash qysh shkon te na – këto komisionet e zgjedhjeve qysh i kemi na – pas shqyrtimit te kandidaturave vendosin kush vazhdon, i aprovojnë kandidaturat. Unë nuk kam asgjë zyrtare akoma – nuk kam parë asnjë vendim akoma, por qashtu qysh po qarkullon, me gjasë nuk e kanë aprovuar kandidaturën time”.
Ramadani ende e ka të paqartë përse i është mohuar kandidimi, “por, saktë, se si, pse e çka e marr vesh zyrtarisht nesër”.
“Unë Valonin ka shumë vjet që e njoh. Është shumë punëtor, i drejt, korrekt dhe është i afërt dhe dashamirës me të gjithë”, thoshte Kurti për Ramadanin kur ky i fundit garonte për kryetar komune.
“Dilema për kryetar komune nuk ka, është Valon Ramadani”, është një nga thëniet e Kurtit kur bënte fushatë në Ferizaj.
Pakënaqësi janë shprehur edhe në degën e Vetëvendosjes në Prizren, ku Beni Kizolli, kandidat për kryetar të kësaj dege, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, është shprehur i pakënaqur me procesin.
Siç ka shpjeguar ai në një status të gjatë, kandidimi iu mohua vetëm pasi ishte kundër një neni në Kodin e ri Civil, nen që lejon martesat e personave me gjini të njëjtë.
Ai sqaron se është thirrur nga qendra edhe është pyetur specifikisht se “a është pro, apo kundër Kodit Civil”.
Pakënaqësitë e tilla dhe proceset jo demokratike në zgjedhjet brenda partive në Kosovë janë një fenomen i shpeshtë. Vetëvendosje proklamonte se ndryshe nga partitë e tjera, Lëvizja është demokratike, prandaj edhe procesin zgjedhor e ka një anëtar një votë.
Por, siç po kuptohet, një votë mund të shkojë vetëm për një kandidat dhe ai kandidat vjen nga lartë, prej ku edhe eliminohen të tjerët.