Vetëvendosje në Prishtinë kërkon të ndalen ndërtimet pa leje
Zyrtarë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka mbajtur të hënën një konferencë për medie, në lidhje me qeverisjen në Komunën e Prishtinës, ku sipas tyre kjo komunë ka përmbysur për të keq frymën e madhe të ndryshimit, transparencën dhe bashkëpunimin me qytetarët.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Salih Zyba, ka kërkuar që të ndalen ndërtimet pa leje dhe të kthehet transparenca për lejet ndërtimore.
“Ndryshimet e sjella që me qeverisjen e mirë të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, u vërejtën menjëherë. Sidomos, transparenca, guximi dhe veprimi për ta ndalur degradimin e mëtutjeshëm urban të Prishtinës. Falë kësaj dhe shumë punëve të tjera, Lëvizja u dyfishua me vota, ndërsa në zgjedhjet lokale i fitoi edhe dy komuna tjera dhe e rifitoi Prishtinën’”, ka thënë Zyba.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar edhe heqjen dorë të Shpend Ahmeti nga zbatimi i programit, zotimeve para qytetarëve e votuesve të Lëvizjes dhe të tij personalisht, që i dhanë besimin për të qeverisur mirë.
Ndërsa asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Abër Vokrri, ka folur për sfidat dhe punët të cilat ishin bërë për të lehtësuar jetën e qytetarët dhe ndaluar të keqën në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, kurse në anën tjetër, ka folur për degradimin e qeverisjes së Shpend Ahmetit në të gjitha drejtimet, madje duke lejuar edhe ndërtimet pa leje.