Vetëvendosje nuk e fton PSD-në në protestën e 29 shtatorit
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka bërë me dije se kjo parti nuk është ftuar në Vetëvendosje për të marr pjesë në protestën e cila pritet të mbahet më 29 shtator.
“Partia Socialdemokrate nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje të ndonjë proteste nga ndonjë subjekt politik. Çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozita. Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar subjektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”.
“Nuk mund të shkojmë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk jemi ftuar dhe rrjedhimisht nuk jemi te njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi. Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, ka shkruar Kuçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/