Vetëvendosje numëron dëmet që ka shkaktuar bllokimi i KQZ-së nga presidenti
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur të dielën një konferencë për medie, në të cilën kanë folur për pasojat e bllokimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga presidenti Hashim Thaçi.
Nënkryetarja e kësaj lëvizje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, ka thënë se nuk kalon ditë që president nuk jep ndonjë provë të re që jo vetëm se nuk është konsensual, por as nuk përfaqëson vullnetin e popullit.
Sipas saj, Thaçi është duke e bërë të pamundurën për ta bllokuar opozitën.
“Me mos dekretimin e anëtarëve të KQZ-së, bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, që për rrjedhojë bllokon fondet që iu takojnë të gjitha subjekteve politike, vërehet se qëllimi është të pengohet veprimi i opozitës që deri në një masë është edhe i varur nga ato fonde që rrjedhin nga një organ kushtetues”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky shqetësim do të duhej t’i prekte edhe partitë në pushtet, por që sipas saj duket se ato kanë burime të tjera mbijetese.
Ndërsa Adnan Rrustemi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, ka thënë se bllokimi i këtij institucioni për tash e një vit e ka lënë shumë mbrapa këtë institucion në një seri të punëve e në një varg përgatitjesh.
“Nga vlerësimi i aspekteve teknike të zgjedhjeve të kaluara dhe marrjen e masave për t’i përmirësuar, deri tek çështjet shqetësuese të përhershme si: pastrimi i listës së votuesve, hetimin e fletëvotimeve të shumta të pavlefshme, fushata informuese për votuesit, thjeshtimin dhe lehtësimin e mënyrës së votimit për diasporën, për votuesit me nevoja të veçanta, e punë të tjera të përditshme si zëvendësimi i asamblistëve, i deputetëve e detyrime tjera. Të gjitha këto, e shumë të tjera janë bllokuar bashkë me bllokimin që i ka bërë Hashim Thaçi këtij institucioni të rëndësishëm kushtetues”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka thënë se shkëputja njëvjeçare nga punët e përditshme dhe të planifikuara do të ndikojë në cilësinë e aktiviteteve të KQZ-së.
/Epoka e re/