Vetëvendosje: Pa luftimin e korrupsionit dhe krimit nuk ka liberalizim të vizave
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja, Fitore Pacolli, sot në një konferencë për medie ka folur për raportin e ekspertëve evropianë në lidhje me luftën që Qeveria e Kosovës po bën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është kusht kyç për liberalizimin e vizave.
Ajo ka thënë se raporti konstaton thjeshtë dhe qartë se sistemi i drejtësisë ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Shqetësim kryesor mbetet mungesa e pavarësisë së gjyqësorit dhe autonomia e prokurorëve sidomos në luftimin e korrupsionit në nivelin e lartë. Gjyqësori konsiderohet të jetë joprofesional, joefikas, pasiv, i ndikuar politikisht dhe i korruptuar”, është shprehur Pacolli.
Ky raport vjen vetëm disa ditë para seancës për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit, dhe sipas saj, do të thotë se nuk do të mund të ketë liberalizim vizash edhe po të ndodhte një ratifikim i tillë, pa luftim të krimit e korrupsionit.
Ndërsa anëtarja tjetër e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetja Albulena Haxhiu, ka thënë se deri më tani ka pasur vetëm deklarime të zbrazëta të qeverive për zero tolerancë ndaj korrupsionit duke mos u ndëshkuar kriminelët.
“Vetëm këto muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë se si të korruptuarit mbeten të paprekshëm. Pak ditë më parë u lirua nga paraburgimi për rastin Toka, Azem Syla. Më tutje kemi hezitimin e hetimeve për Devollin dhe Z-mobile në dëm të Telekomit të Kosovës, humbjen dhe heshtjen e hetimeve dhe mos fillimi i procesit për aferën Pronto. Po ashtu rasti i Enver Hasanit që u dënua me kusht për veprime korruptive por edhe shumë raste të tjera të korrupsionit që qëllimshëm parashkruhen”, ka theksuar Haxhiu.
Haxhiu ka folur edhe për procedimin e projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Ky projektligj do të forcojë kompetencat e prokurorisë por po ashtu e vendos barrën e provës tek personi i dyshuar dhe jo tek prokurori siç është aktualisht”, ka theksuar ajo.
Lëvizja Vetëvendosje nesër do të ftojë në interpelancë ministren e Integrimeve Evropiane në lidhje me të gjeturat e raportit të ekspertëve nga BE-ja.