Vetëvendosje: PAN-qeveria me të drejtë mund të quhet PAN-hajni
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një takim me qytetarët e Vushtrrisë. Në këtë tubim ka marrë pjesë edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Sipas një njoftimi për medie të kësaj lëvizje, brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës, nëpër çdo anketë, janë papunësia e korrupsioni.
“Të dyja këto shqetësime shkaktohen nga qeverisja e korruptuar dhe e keqe, nga PAN-qeveria. Nga skandalet e përditshme te rehatimet e familjarëve e deri te milionat si dëmshpërblime nëpër kompanitë e huaja e pushimet super luksoze, kjo PAN-qeveri me të drejtë mund të quhet PAN-hajni. Republikës së Kosovës i duhet një mendësi e re qeverisëse që kthen shpresën për të jetuar në vend. Që taksat e qytetarëve nëpërmjet buxhetit i kthen në zhvillim dhe mirëqenie. Kosova jo vetëm që nuk ka më kohë për të humbur, por tashmë ka humbur shumë kohë”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje ka theksuar se angazhimi e mobilizimi qytetar gjithandej nëpër Kosovë është hapi i parë për të larguar këtë mendësi të gabuar nga pushteti.
“Nga qyteti në qytet, nga tubimi në tubim, së bashku me qytetarët e Republikës do të tregojmë se vullneti i popullit të Kosovës është për të ndryshuar. Një gjë të tillë sot e filluam në qytetin e Vushtrrisë, në sheshin ‘Adem Jashari’, ku përplot qytetarë me shumë entuziazëm e vendosmëri na pritën drejt rrugëtimit të ri për ta larguar këtë qeverisje të stërkequr”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes për medie.
/Epoka e re/