Vetëvendosje paralajmëron padi kundër Thaçit
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se kjo lëvizje do të ngrehë padi kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shkak të dialogut me Serbinë.
Konjufca në një konferencë për medie ka thënë se Thaçi nuk është njeri kredibil dhe as nuk ka kompetenca që të udhëheq dialogun.
“Vetëvendosja do t’ia bëjë një padi Thaçit pasi ajo çfarë po bën Thaçi është shkelje e Kushtetutës. Nuk ka bazë kushtetuese ajo çfarë po bën ai. Ai bën përfaqësim simbolik dhe jo negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës është organi kryesor në vend e jo institucioni i presidentit.
“Ne mendojmë t’ia tregojmë vendin që e ka presidenti në republikën parlamentare. Parlamenti duhet të formojë një grup e bashkë me grupin platformën që tregon se çka është e panegociueshme për Kosovën”, ka deklaruar Konjufca.