Vetëvendosje paralajmëron protesta
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke komentuar idenë për korrigjimin e kufirit, u ka bërë thirrje anëtarëve të kësaj lëvizje që të mobilizohen, pasi sipas tij në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore për siç ka thënë ndaljen e krimit që po i bëhet Kosovës.
Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka thënë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë.
“Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës në ditët dhe javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë Kurti.