Vetëvendosje, parti në Shqipëri. Kërkesa për regjistrim është paraqitur në gjykatë (Video)
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë synon ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, përmes Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë.
Boiken Abazi, i mandatuar për ngritjen e kësaj qendre, në një intervistë për “Top Channel” ka thënë se i janë drejtuar gjykatës për t’u regjistruar. Por, përse ky vendim i Vetëvendosjes për të qenë e pranishme edhe në Shqipëri?
“Kemi pasur kërkesa të shumta këto kohë. Kërkesat e shtuara nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të shtrirë aktivitetin e Vetëvendosjes edhe këtu. Kemi menduar se ka ardhur koha që të kemi një aktivitet më dinamik, më të shtuar, pasi nuk është hera e parë që ne zhvillojmë aktivitet në Shqipëri, duke parë edhe modelet e ndryshme që ne mendojmë se janë të mira, jo vetëm në Kosovë, por edhe për kombin shqiptar, si për shembull modeli i shtetit zhvillimor, ekonomi e bazuar në prodhim, natyrisht edhe synimit tonë kryesor që është e drejta e vetëvendosjes për popullin shqiptar për bashkim kombëtar”, ka thënë Abazi.