Vetëvendosje: Për papërgjegjësitë e veta për vizat, Qeveria fajëson BE-në

28 tetor 2018 | 15:23

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet deputeteve, Fitore Pacolli dhe Albulena Haxhiu, ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me deklaratat e fundit të Qeverisë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Deputetja Pacolli ka thënë se qeveritarët në vazhdimësi kanë manipuluar me çështjen e vizave.

“Shumë herë është festuar përfundimi i këtij procesi dhe shumë pak është punuar për përmbylljen e tij. Ky proces në fillim u përdor si premtim elektoral, më vonë u përdor si karrem për kalimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe më pas edhe si alibi për ta sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e tij. Nga deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj, së BE-ja po tregohet albanofobe dhe se ne na duhet ta rishikojmë qasjen ndaj saj u kuptua se Qeveria ka informacione të cilat nuk po i ndan me qytetarët se disa prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian nuk do ta mbështesin në dhjetor liberalizimin e vizave në mbledhjen e Këshillit të Ministrave”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka bërë me dije se shumë shtete të BE-së janë kundër vizave, por sipas saj Qeveria është duke e mbajtur të fshehtë këtë qëndrim të tyre.

“Ne kemi disa të dhëna se nga takimet e fundit teknike pas vendimit të Komisionit Evropian dhe të Parlamentit, del se një numër i madh i shteteve janë kundër liberalizimit të vizave. Qeveria ka më shumë informacione, mirëpo këto nuk po i ndan me ne dhe me qytetarët e vendit, por po kërkon gjetjen e fajtorit. Nuk po konsideron veten, por qytetarët e Kosovës dhe BE-në si fajtore”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nga sistemi i korruptuar i drejtësisë, të nisma e fundit e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh dhe deri te skandalet e njëpasnjëshme të pushtetit, Qeveria është e gatshme të ndryshojë qasjen ndaj aleatëve tanë evropianë dhe të shoh mundësinë për bashkëpunim me vende si Rusia vetëm për të mos marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

“Si të veprojë Bashkimi Evropian kur një prokuror si Blakaj detyrohet të ikë nga Kosova për shkak të kërcënimeve që merr; si të veprojë Bashkimi Evropian kur përcjell ngjarje si ajo kur policia dhe prokuroria dalin me deklarata të ndryshme në kohën kur djali i kryespiunit Shpend Maxhunit arrestohet me armë; si të veprojë Bashkimi Europian kur kryeprokurori i shtetit Lumnezi del në mbrojtje të Shpend Maxhunit, si të veprojë Bashkimi Europian kur sheh se për pazare vëllai i Presidentit sulmon fizikisht dy persona, ndërsa kushëriri i tij, i cili është i akuzuar për keqpërdorime, vendoset në krye të KEK-ut”, ka thënë Haxhiu.

Pacolli dhe Haxhiu kanë theksuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, por sipas tyre kjo mund të realizohet vetëm me largimin nga pushteti të kësaj klike politike të papërgjegjshme dhe kriminale.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/739164959754063/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presioni më i madh do të jetë mbi trajnerin e…