Vetëvendosje: Pushteti nuk është duke lejuar zbatimin e Kushtetutës

09 prill 2019 | 16:52

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të martën një konferencë për medie me rastin e 11-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe cenimeve që i janë bërë prej asaj dite.

Në këtë konferencë kanë folur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi dhe deputetja Albulena Haxhiu.

Fillimisht, deputetja Haxhiu ka thënë se askush nuk e ka besuar që 11 vjet te pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetarë e qytetare e Republikës së Kosovës.

“Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore, as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as shëndetin, as arsimin, as jetën. E drejta e punës është e garantuar, mirëpo Kosova përballet me papunësi të madhe, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Qytetarët kanë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm, mirëpo ankesat për gjykime të padrejta dhe për dënime pa bazë po shtohen çdo vit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se pushtetarët janë të pabarabartë para ligjit në raport me qytetarët. Sipas saj, pushtetarët nuk i janë nënshtruar asnjëherë kontrollit të Parlamentit. “Nga kapja që i kanë bërë shtetit dhe ekonomisë është rritur pabarazia në vend”, është shprehur Haxhiu.

Ndërsa, nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, ka thënë se pushteti nuk është duke e lejuar zbatimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Sot në sistemin bankar të Kosovës, më pak se 900 qytetarë të Kosovës, apo më pak se 0.05 për qind e popullatës sonë mbajnë mbi 15 për qind të depozitave, duke mbajtur mesatarisht nga 350.000 euro kursime. Pra 5 për qind e shtresës së pasur kanë mbi 85 për qind të kursimeve në vend. Dhe natyrisht se kjo pakicë nuk mund t’i kuptojë ata të rinj e të reja që përditë kërkojnë mundësi për të ikur nga vendi në kërkim të çfarëdo mundësie për të gjetur një vend pune. Me Kushtetutën tonë shteti duhet ta garantojë në çdo kohë dhe kudo mbështetjen dhe mbrojtje për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, por ky pushtet nuk po ia lejon zbatimin e Kushtetutës shtetit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës më së shumti po shkelet nga ata që ajo i definon si mbrojtësit kryesor të saj”, ka thënë Bislimi.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/695783830840088/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në tubimin e radhës, kandidati shqiptar për president të Maqedonisë…