Vetëvendosje reagon pas letrës së 13 organizatave për lirinë e mediave: Jemi lidershipi më demokratik që ka pasur Kosova
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi mori letër nga 13 organizata për Lirinë e Mediave në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor. Krejt kjo, për shkak të bojkotit që kanë vendosur t’ua bëjnë tri televizioneve, Klan Kosova, T7 dhe Dukagjini gjatë fushatës zgjedhore.
Në këtë letër, VV pretendon fillimisht se “përfaqëson lidershipin më demokratik që ka pasur Kosova”.
“Na vjen keq për çdo keqkuptim ose keqinformim rreth kontekstit të çështjes në fjalë. Kjo qeveri, e udhëhequr nga partia jonë, përfaqëson lidershipin më demokratik që ka pasur Kosova. Ne mbajmë lirinë e fjalës, pavarësinë e medias dhe një peizazh të gjallë e të larmishëm mediatik si shtyllat themelore të demokracisë dhe parimet thelbësore që ne i mbështesim me krenari”.
VV vazhdon sulmet ndaj debateve të tri mediave, duke thënë se përmbajnë “gjuhë toksike, fyerje dhe akuza të pabaza”.
“Megjithatë, gjuha toksike, fyerjet e shpeshta dhe akuzat e pabaza që mbizotërojnë në këto tre studio, së bashku me raportimet e njëanshme dhe jo objektive, nuk arrijnë të ofrojnë një platformë të drejtë për partinë tonë për të paraqitur planet dhe synimet e saj të fushatës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po kufizon asnjë gazetar apo organizatë mediatike për të pasqyruar periudhën e fushatës zgjedhore apo aktivitetet e partisë sonë. Vendimi ka të bëjë vetëm me mospjesëmarrjen në debate dhe tregon që nuk ofron një mjedis të favorshëm për të shprehur pikëpamjet tona”.