LV-ja: S’kemi informacion zyrtar se Kushtetuesja ka vendosur ta dërgojë vendin në zgjedhje
Këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje!, Blerim Sallahu thotë se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar nëse Gjykata Kushtetuese ka marrë ndonjë vendim për rastin e vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi.
“Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion zyrtarë për këtë çështje. E kemi parë që disa media kanë dalë me burime kinse Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me të cilin e ka dërgua vendin në zgjedhje. Edhe pretendimet tona në seancën e dëgjimit publik kanë qenë të njëjta. Pra presim që Kushtetuesja të vendos në favor të kërkesës sonë sa i përket votës së deputetit Arifi”, tha ai në “Debat Plus”.
“Duhet të shkojmë në zgjedhje. Nuk presim që procesi të kthehet në zero”, shtoi Sallahi, përcjell Telegrafi.
Sallahi thotë se Albin Kurti ka dështuar dy herë të marrë mandatin dhe sipas tij nuk ka më vend për prova të tjera.
Sipas tij edhe Hoti më nuk ka të drejt të provoj një tentativë tjetër për qeverinë.
“Presim nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit që të shpallë datën e zgjedhjeve”, tha ndër të tjera Sallahu.
Gjykata Kushtetuese më 2 dhjetor mbajti seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.