Vetëvendosje: Shpend Ahmeti zgjodhi qyqarllëkun në vend të përballjes
Drejtorët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë shkarkuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë mbajtur në një konferencë për medie, ku vendimin e Ahmetit e kanë quajtur qyqarllëk politik.
Drejtori i shkarkuar i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë me dije se Ahmeti ka muaj që nuk komunikon thuajse fare me drejtorët e Vetëvendosjes për punët e domosdoshme të komunës.
“Kjo qeverisje u fitua me besimin dhe votën e qytetarëve por edhe me angazhimin e mijëra aktivistëve dhe vullnetarëve në Lëvizjen Vetëvendosje! Tashmë është e qartë se kryetarit pas fitimit të mandatit të dytë nuk i bëhet vonë as për besimin e qytetarëve dhe angazhimin e aktivistëve, por fatkeqësisht as për premtimet me të cilat e fitoi këtë mandat”, ka thënë Vitia.
Ndërsa drejtoresha e shkarkuar e Kadastrës, Nora Kelmendi, ka thënë kryetari Ahmeti nuk ka pasur guxim të ballafaqohet sy me sy me drejtorët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes. “Tashmë ai ka mbetur përfundimisht qyqar në drejtimin e institucionit. Vazhdimisht po i shmanget Lëvizjes, madje edhe largimin prej saj më herët e pati bërë të ditur përmes një deklarate në rrjetet sociale”, ka thënë Kelmendi.
Në anën tjetër drejtori i Kulturës, Yll Rugova, i cili nuk është shkarkuar nga kjo pozitë, ka thënë se edhe ai do të largohet nga detyra e drejtorit.
/Epoka e re/