Vetëvendosje synon ta formojë e vetme Qeverinë

22 shkurt 2021 | 14:11

Lëvizja Vetëvendosje synon që ta formojë e vetme Qeverinë e re të Kosovës dhe për këtë janë në pritje të numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se vullneti i qytetarëve i shprehur në këto zgjedhje nuk ka qenë kurrë më i qartë.

“Tanimë që ka përfunduar numërimi i votave të rregullta, jemi në pritje të fillimit të numërimit edhe të votave me kusht si dhe ato të diasporës, të cilat kësaj radhe janë më shumë në numër se në çdo proces tjetër zgjedhor. Vullneti i qytetarëve i shprehur në këto zgjedhje kurrë nuk ka qenë më i qartë”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, qytetarët duan ndryshim rrënjësor si në të bërit politikë, ashtu edhe në qeverisje.

“Vendi ka nevojë për një qeveri të re, pasi që për më shumë se shtatë muaj ka pasur një jolegjitimet dhe qeveri e jashtëligjshme. Ne presim që të kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë dhe institucioneve tjera”, potencoi Kryeziu.

Si përfundim, Kryeziu thotë se të gjitha votat duhet numëruar me kujdes dhe të bëhet certifikimi sa më shpejt.

“Është tejet e rëndësishme që të gjitha votat të numërohen me kujdes e të certifikohen pa humbur kohë, ashtu që të mund të vazhdojmë sa më parë me formimin e institucioneve”, u shpreh zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në një intervistë për Ekonomia…