Vetëvendosje thotë se do t’i mbrojë të akuzuarit e Speciales

24 nëntor 2020 | 08:30

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka qëndruar në Shqipëri, ku ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Bahtiri ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Tiranë ka qenë unifikimi i shqiptarëve karshi situatës së krijuar pas aktakuzave ndaj ish drejtuesve të lartë të UÇK-së.

Për Klan Kosova, Bahtiri, i cili është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, është shprehur se ky subjekt dhe kryetari i saj, Albin Kurti, janë të gatshëm që ta japin kontributin e tyre në këtë çështje.

“Si Vetëvendosje jemi të gatshëm ta mbrojmë UÇK-në me çdo kusht dhe çdo mundësi që na jepet. Partia ka vullnetin, LV dhe Kurti që të kyçen në këtë proces dhe ta ndihmojnë atë.

Kjo qeveri s’po ndihmon njerëzit që kanë shkuar atje. Ata kanë qenë luftëtarët e shtrenjtë dhe lirinë e kemi prej tyre dhe shumë të tjerë që fatkeqësisht do të shkojnë atje. Kur jemi shtatë milionë e kemi një fuqi. Duhet të dëgjohet një zë.

Me Bashën biseduam gjerë e gjatë dhe kërkesën që ia shtrova ishte që të kemi një kauzë që të bashkohemi edhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut dhe të dalim më seriozë në mbështetje të luftëtarëve tanë që iu kemi borxh sa të jemi gjallë.

UÇK është ushtri e gjithë neve, që ka dalë nga populli. Ajo ushtri nuk ka luftuar siç po pretendohet për gjëra kriminale por për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e pragut të shtëpisë”, tha Bahtiri.

Bahtiri ka thënë se bashkimi i shqiptarëve është i domosdoshëm pasi që, sipas tij, Kosova nuk e ka mbështetjen ndërkombëtare sikur që e kishte më 2008 kur shpalli pavarësinë e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Studentëve gjatë muajve të parë të përhapjes së…