Vetëvendosje uron besimtarët katolikë për Pashkët
Lëvizja Vetëvendosje ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve.
Kjo lëvizje ka theksuar se kjo festë është dita kur kuptojmë se liria është e pamundur të realizohet pa bashkimin barazitar në mes të besimtarëve.
“Lëvizja Vetëvendosje! uron të gjithë besimtarët katolikë gëzuar pashkët, këtë kremtim të virtyteve më të larta njerëzore të vetësakrificës, mëshirës dhe dashurisë për liri e barazi. Pashka është dita e lajmit të mirë ku vetësakrifica dhe mëshira zëvendësojnë sakrifikimin e të tjerëve, ndërsa dashuria dhe drejtësia tregojnë se janë më të mëdha se shtypja dhe hakmarrja. Pashka është dita kur kuptojmë se liria është e pamundur të realizohet pa bashkimin barazitar mes besimtarëve, dita kur kuptojmë se barazia dhe bashkimi mes besimtarësh janë filizat e lirisë kundër perandorisë. Në mesin tonë, festa të tilla janë ditë paqeje, solidariteti dhe dashurie shoqërore e kombëtare ndërfetare. Besimtarëve katolikë ju urojmë mbarësi, shëndet e lumturi në këtë ditë feste. Gëzuar Pashkët!”, është thënë në urimin e Vetëvendosjes.
/Epoka e re/