Vetëvrasja e Heminguejt dhe Monroes
NORMAN MAILER
Kolumnisti ju paralajmëron. Këto shkrime janë shkruar dy muaj para publikimit. E bukura e gjithë këtyre është të duket diçka interesante për gjashtëdhjetë ditë. Për këto shkrime isha duke folur me një kolumnist. “Shkruaje kolumnën në atë mënyrë që njerëzit do të mund ta lexonin me kënaqësi edhe dhjetë vjet më vonë” më tha ai. Këshillë shumë e mirë. Në vazhdimësi do të përpiqem t’ju rrëfej çfarë kam për të thënë. Disave prej jush do të përpiqem t’ju çoj në një vdekjeje të hershme.
Këtë javë kishim lajme të bollshme në lidhje me Marilyn Monroen dhe drogën e njohur Thalidomide. Brenda gjashtëdhjetë ditëve ju do ta harroni emrin e drogës Thalidomide, që është drogë e cila përdoret nga gratë shtatzëna për t’i ndalur dhembjet. Si efekt anësor, kjo drogë kishte shumë ndikim në zhvillimin e embrionit në barkun e nënës. Një efekt tjetër ishte edhe rritja e ekzagjeruar e lopatave në krahë. Në Gjermaninë Perëndimore ishin shënuar pesë mijë raste të njerëzve me këtë abnormalitet. Ky, mbase, ishte edhe një humor i zi i kohës.
“I dashur”, thotë nusja gjermane, e re dhe shtatzënë, “këto tableta kanë një efekt shumë të çuditshëm tek unë”.
“Mos u mërzit, e dashur” ia kthen burri, “mjeku di se ç’bën”.
Humori ishte me një keqkuptim seksual me kast. Sepse janë burrat ata që nuk u besojnë shumë mjekëve. Gratë i adhurojnë mjekët. Nëse një hero kujdeset aq shumë për të dashurën e tij, ai duhet të futet në një listë konkurruese ndaj Richard Burtonit, Fidel Castros, Jack Kennedyt, Cary Grantit, Paul Gettyt, Yuri Gagarinit, Sinatras, Glennit, i riu Brando ose nga ai mesatari Pinza, nuk ka shumë rëndësi se cili. Natyrisht, nëse njeri e do një grua kaq shumë, ka një shans të tillë. Mos u dorëzo, këshillon kolumnisti. Mos gabo të dorëzohesh, vetëm nëse bukuroshja jote e dashur është një aktore dhe kundërshtari yt (konkurrenti) është një mjek ose psikoanalist. Atëherë, është e kotë kjo punë.
“I dashur” thotë nusja gjermane: “Këto tableta kanë një efekt shumë të çuditshëm tek unë”.
“Atëherë, hidhi” i thotë burri.
“A je budalla ti?!” i përgjigjet nusja e përlotur. “Mjeku di se ç’bën”.
Unë e njoh një mjek shumë inteligjent, cinik, por një ekspert i mirë në kërkimet për kancerin. Ai është drejtues i një programi në spitalin e Nju-Jorkut. Ai ishte i fascinuar me Thalidomide. Mendonte se ky lloj i drogës kishte sukses. “Do të thoshte që ne me anë të kësaj droge do të mund të ndikojmë/influencojmë procesin e evolucionit”.
“Për çfarë qëllimi?” e pyeta.
Ngriti supet. Nuk jam i interesuar për atë punë. Nuk është fundi i një qëllimi për shkencëtarët në këtë fazë. Në brendësi të njeriut modern ekziston njëfarë lloj agresioni ndaj natyrës. Ti mund ta dëgjosh gjithandej: në zhurmën që ajri i kondicionuar bën, zhurmat e altoparlantëve në vetura të cilat parakalojnë në rrugët urbane. Ti mund të ndjesh edhe kur e prek një lodër plastike. E urrej idenë që fëmijët të zbaviten me lodra plastike. Unë më parë u kisha dhënë atyre kondomë të shpërthyer për lodra.
Pastaj kemi edhe përgjigjen e natyrës së mërzitur.
Unë jam i ndarë në dysh, thotë ajri. Hiqmini qafe këta aeroplanë.
Ndal së bërtituri, o zotëri! Ne kemi nevojë që aeroplanët ta arrijnë cakun.
Çfarë caku?
Ec, the qafën, thotë si rrëmbimshëm.
Ndodhia më e çuditshme që kam dëgjuar ndonjëherë për Jack Kennedy ishte kur një herë ai ishte në anijen e tij duke ngrënë mish pule dhe përnjëherë hodhi në ujë gjysmën e mishit të pulës që nuk kishte arritur të hante së bashku me kockat.
Shumë pak njerëz e kuptojnë se çfarë dua të them. Kjo më bën të elaboroj më tej duke konkluduar se morali i kësaj storie është se ti assesi s’duhesh që t’i hedhësh eshtrat e një kafshe në det. Ajo do të duhej të ndodhte në tokë, në dhe e jo në ujë.
Natyrisht që ne hedhim të gjitha mbeturinat në sistemin e kanalizimeve dhe ai çon gjithçka në det, por çka nuk kemi kuptuar ende ne njerëzit është se të gjitha ato mbeturina na kthehen në tokë pas disa mijëra vjetësh në formën e kancereve të ndryshme, murtaja, kampet e koncentrimit, dështimet e projekteve sociale për strehim, masmedia dhe neveritë, të gjitha këto vijnë nga disa prej veseve sociale, prej prodhimit të pasqyrave, prej kohës kur ne e pushtuam Evropën me cigare, prej avancimeve në sistemin e kanalizimeve. Shkenca u zhvillua vetëm atëherë kur njeriu i dha betimin vetes që ai do ta urrejë natyrën dhe se tërë jetën do t’ia dedikojë kapjes dhe mbytjes së saj.
Asgjë nuk ka të keqe që ta urresh natyrën. Urrejtja ndaj nënës natyrë është më pak e keqe sesa dashuria e një kolumnisti i cili bën çmos që me shumë zor i shtyn lexuesit e tij që ta duan nënën natyrë. Çfarë është më e keqe, po ashtu, është edhe frika nga vdekja. Aq e neveritshme është kjo frikë saqë njerëzit shkojnë aq larg sa duan ta mohojnë se do të vdesin një ditë. Prandaj, hedhja e kockave të pulës në det është një mosrespekt ndaj traditës së shenjtë të varrimit. Mbase Kennedy i gjorë kur kishte hedhur kockat në det kishte bëzajtur duke thënë: “Kërkoj ndjesë, mik i mirë!”. Atëherë më e rënda është edhe puna me anekdotat. Kurrë nuk mund t’ua qëllosh nuancave. Më beso se po të isha unë aty, në atë çast kur Kennedy kishte hedhur kockat në det, do të kisha mundur ta di, ta kuptoj nëse ai ishte i pendueshëm apo paraqitej sikurse që ishte një arrogant ose aktronte sikur një gjel shtëpie.
Dikush mund të thotë tashti: “Hajde de lëre tash njeriun rehat! A s\ka të drejtë i ngrati të ketë jetë private?”. Përgjigjja ime është: Jo. Ai është një djalë i ri që dëshiron të bëhet president. Kështu që ai do të duhet ta paguajë një pjesë të këtij çmimi. Besoj se ai është gati ta paguajë këtë çmim. Shumë i rrallë mund të jetë rasti kur një mbret ose car nuk do të ketë ndonjë dëshmitar në kupolën e hapjes së ceremonive. A ju kujtohet këtu Arthur Schlesinger?
Rrënjët e vdekjes janë varrimet. Kurrë nuk e kam dashur Joe DiMaggio. Legjenda e tij më ka zhgënjyer paksa, por kam shumë respekt për vendimin e tij që ta lejojë një organizim ceremonial për varrimin e Marilyn Monroes. Nëse ajo e gjora nuk ishte aktore e famshme dhe në vend të ishte ajo një bionde normale atraktive që endet nëpër Hollywood, një pijanece e rregullt dhe frekuentuese e kafeterive aty-këtu, nëse do të kishte qenë një prostitutë e rregullt, thithëse e drogës, e dashur e dikujt aty, ose po të ishte ajo një degjenereuese graduale që kishte dështuar në jetën e saj dhe dalëngadalë po ikte në tualetin e kohës sikurse një racë qeni Spaniel, atëherë ajo do të kishte përfunduar në një sallon bukurie të Hollywood-it me pesëmbëdhjetë shokë të ftuar. Mbase ajo ishte edhe e tillë derisa përfundoi jetën e saj. Tabletat e gjumit janë norma ekuilibri këto ditë. Nëse të gjithë amerikanët do të përpinin nga katër tableta Nembutal për dy mijë net radhazi, atëherë të gjithë do të kishim përfunduar të tillë. Të gjithë do të ishim shndërruar në idiotë.
Cilido shkrimtar që merr tableta të tilla, prej vitit në vit, duhet të jetë në gjendje që të shkruajë një përrallë të bukur të një luftëtari klubi, truri i të cilit shndërrohet në një pijanec të ndëshkuar. Por ky libër kurrë s’do të shkruhet. Ne e mësojmë të vërtetën atëherë kur japim ngadalë disa copëza të gjuhës sonë, deri atëherë kur na harxhohet e tërë gjuha dhe na mbetet goja e zbrazët. A i bie kjo se atëherë kur do të na humbë gjuha, papritmas ngrehemi në mesin e natës duke shkuar poshtë shkallëve për ta marrë pushkën dhe duke e futur tytën mu në mes të gojës dhe të lansohemi sikurse një raketë! Ja ku jam e vërteta e jetës, unë jam Ernesti, ai i cili të kishte kërkuar gjithë jetën. Tash ti duhet të më gjesh, në përjetësi, sepse unë, tashti, jam në copëza krejt të vogla.
Heminguej dhe Monroe. Lehtë mund t’i tejkalosh këta emra. Ata ishin dy njerëzit më të bukur të Amerikës.
Unë mendoj se Ernesti na kishte urryer të gjithëve sa ishte gjallë. Ai na privoi nga koka e tij. Nuk ka edhe shumë rëndësi a ishte vetëvrasje apo një aksident. Njeriu normal nuk do ta fuste tytën e pushkës në gojë dhe të flirtojë me vetëvrasjen duke e shndërruar atë në një aksident duke menduar se hajt njerëzit do të mendojnë që në fund ishte aksident, e sidomos njerëzit sikur Ernesti që ishte shumë i dhënë pas reputacionit të tij. Ishte i zellshëm. Vdekja e tij ishte trishtuese. Thuaje aman. Ishte vdekja më e rëndë në Amerikë që nga vdekja e papritur e presidentit Rusvelt. Ne ende nuk e kemi marrë veten nga vdekja e Heminguejt. Ne kurrë nuk do ta marrim veten.
Por, megjithatë, vdekja e Monroes ishte krejt ndryshe. Ajo na rrëshqiti nga duart. Ajo na kishte rrëshqitur nga duart prej kohësh. Tashti shumë lehtë e kemi të themi se disi sjelljet e saj ishin të çuditshme kohët e fundit. Unë mendoj se ajo ishte shumë e keqe në ‘The Misfits’, ishte e papërshtatshme dhe kur erdhi koha të tregonte emocione, ajo u duk edhe më e keqe dhe shumë e shkurtër me trup dhe joatraktive. Por, megjithatë, ajo na iku nga duart para disa vjetësh. Nëse ajo do ta kishte bërë Grushenken te Vëllezërit karamazovë në mënyrën se si ajo kishte thënë se do ta bënte, dhe nëse e kishte realizuar atë që kishte thënë, atëherë ajo do të mbetej gjallë sot. Mbase do të ishte kthyer në një jetë më të pastër, duke u shpërlarë nga kripa e mëkateve të kahershme. Ne i përpijmë tabletat në kohë të vështira, atëherë kur aroma e vdekjes na afrohet shumë afër dhe kutërbojmë prej saj. Mbase Monroe kishte menduar se që ajo ta përfitonte përjetësinë, duhej të flijohej. Për Heminguejn, që të jetonte, të mbetej i gjallë, ai do të duhej të shkruante një libër shumë më të mirë sesa Lufta dhe paqja.
Nga Parku i drerëve: Na ishte njëherë një ligj shumë i rëndë i jetës, aq i rëndë saqë diktonte që njeriu në mënyrë që të mbijetonte do të duhej të rritej më shumë. Unë mendoj se kjo frazë është aq e rëndësishme edhe sot. Unë mendoj se biologjikisht është më se e vërtetë. Poashtu, mendoj se aplikimi i këtij ligji të jetës është shumë më zellshëm i aplikuar në Amerikë. A e dini pse? Sepse ne pështillemi përreth kodrinës përderisa mbahemi te të tjerët se ne jemi mbretërit e majës së malit. Aq në thellësi do të shkojë puna me ne saqë një ditë do të qëndrojmë mu në mes dhe do të themi se edhe kjo është e jona,ndërsa kurrë nuk do të ndalemi derisa mbretin do ta mbysim vetë. Amerika jonë e mirë. Ne jemi kombi i mbretërve dhe mbretëreshave amatorë.
Çdo muaj kolumna jonë do të përfundojë me një paragraf të shkurtër. Bëni pak vend për mbretin tonë të vogël të tufës, Roert Ruark. Robert Ruark e ka personalitetin e tillë të Heminguejt vetëm po të ishte Ernest Heminguej një shkrimtar shumë i keq.
(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Emanuel Bajra. ©, “Armagedoni”)