Vetingu pavarëson sistemin e drejtësisë thotë GLPS
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) do të organizojë sot konferencë për media, me temë “Vetingu: mënyra e vetme për ta siguruar pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë”.
Sipas GLPS-së, reforma më qenësore që sistemi i drejtësisë duhet t’i nënshtrohet është kontrolli i integritetit, profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit, si e vetmja formë për të nxjerrë jashtë sistemit personat që kanë të kaluar të dyshimtë, që kanë afërsi me qarqet e korruptuara apo janë direkt të korruptuar dhe të cilët nuk janë mjaftueshëm profesionalë dhe të arsyetuar me vendimet e tyre.
Prandaj, GLPS konsideron se një proces i duhur i reformimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë duhet të ketë si rezultat një proces të vetingut, i cili paraqet të vetmen formë për të siguruar një sistem të pavarur, të paanshëm dhe profesional.
Në këtë konferencë, GLPS do t’i shpalosë disa nga parimet themelore në bazë të të cilave duhet të ndërtohet procesi i vetingut dhe do të ofrojë një numër propozimesh të cilat do shërbejnë si udhërrëfyes për fillimin e dizajnimit të këtij procesi nga institucionet relevante në Kosovë.