Vetmia e poetit

10 janar 2025 | 10:26

Prof. dr. Fikret Ramadani

Vështrim për librin me poezi të Bedri Zyberajt ,,Vetëm me vetminë”, shqip-greqisht, botuar nga ShB ,,Armagedoni”, Prishtinë, 2024

Në pikëpamje e vështrime filozofike, shpesh mund të ndodhë të ndeshim mendimin se uni konkretizohet si i tillë në vetmi. Sepse vetëm atëherë vetja ka përballë vetën. Në të tilla refleksione na çon titulli i përmbledhjes së fundit me poezi ,,Vetëm me vetminë”, që mban autorësinë e Bedri Zyberajt. Ky konkludim që tingëllon fort i guximshëm në lexim të parë, qartësohet e kuptohet në brendësi të vargjeve të poetit pedant të gjuhës e të vargut.

Kryesisht, dashuria, jeta, vuajtja, lufta, shpresa e ndonjëherë edhe notat e pesimizmit përbëjnë bazën e motiveve të tërësisë së poezive të veprës së Bedriut, që natyrshëm janë motive universale, ndonëse nuk mund të kalojnë pa prekur dimensionet me ekzistencialet të shpirtit të homo poeticus-it. Këto koncepte, dinë të bëhen mjaft komplekse, sidomos në honet psikike kur poeti ngre pendën në studion e punës si tentativë për t’i dhënë kuptim kompleksitetit të ekzistencës së njeriut dhe mundësive për të gjetur kuptimin e një bote të ndërlikuar, shpeshherë edhe jo të sigurt për luftëtarin që dikur ëndërronte lirinë nën llagëm e në llogore.

E para ishte fjala, thotë hyjnorja, kurse Bedriu me të parën, se ndryshe s’ka si, vendos dashurinë, konkretisht përmbledhjen e hap me poezinë Nëna. Ashtu sikurse vepronte në Prologun e Faustit romantiku gjerman Gëte, i cili me ngulm theksonte se ideja e krijimit dhe e rendit njerëzor është e lidhur me Dashurinë. Edhe poeti Zyberaj, dashurinë e koncepton si forcë fillestare ontologjike, dhe më tej se kaq, edhe si forcë për të vazhduar jetën. Padyshim, Nëna e mban gjallë poetin, jo vetëm në këtë kaos ekzistencial, por edhe në mendimet shpesh pesimiste të më shumë se dy dekadave më herët. Ajo: Ngrohet me shqetësimet tona që kurrë nuk i pushuan…. Vetëm me vetminë i qan hallet – shkruan autori. Pra, ajo (Nëna), dëshirën dhe dashurinë e gjen diku tjetër, pikërisht nga instikti hyjnor për fëmijët, që edhe kur i zbardhen flokët, vazhdon të ripërtërihet e shenjta. Duke mbajtur primatin e të parës në këtë vepër, kjo poezi është shkruar me varg të lirë, gjë që mundëson një shpërthim ndjenjash për ,,armiken”. Prandaj, përveç të tjerash, Nëna mund të llogaritet në mesin e vjershave më të mira të kësaj tufe.

I përmbushur edhe me poetikën modernintetit, poeti provon të luajë me imagjinatën e lexuesit. Diçka si në ëndërr, është poezia më përfaqësuese e kësaj natyre. Me dëshpërimin dhe uzdajën, me diellin dhe ftohtin, me dimrin dhe vapën, autori ia del ta vendosë në hamendësime lexuesin, duke kërkuar qëndrim e imagjinatë aktive, siç kërkonte T. Eliot-i nën zhvillimin e frymës së imazhizmit. Pra, në këtë poetikë, dimri është ngrohje për dikë dhe vapa ftohje për dikë tjetër, e aq më shumë kur besimi ka ngelur në balona. Në mesin e çapitjeve poetike të njohura në letërsinë shqipe, vjen edhe poezia Fati im, që nëse na lejohej ta quanim ndryshme, do ta kishim emëruar: Fat për të qenë. Për të qëndruar në jetën e përtej jetëve, që duket se është e njëjtë, ka qenë e njëjtë dhe e vetmja gjë që ndryshon është emri i personazheve.

Formësimi modern i autorit nuk ia del ta largojë nga motivi i lashtë për qëndresë e liri, që njëkohësisht bashkë me subjektivizimin e pesimizmit, siç do të thoshte poeti, të kohës pakohë, përbëjnë tërësinë tematike të aurës poetike të poetit Zyberaj, që natyrshëm besojmë se do të zë vend në tryezën e letrave shqipe.

Do theksuar se në këtë përmbledhje janë përfshirë krijime të më shumë se dy dekadave, e në raste të caktuara, janë ribotuar edhe poezi që gjenden në librat e mëhershëm të autorit. Me shumë mundësi, kjo nuk vjen si nevojë nga ana e autorit për të theksuar me ngulm tërësinë e vokacionit të tij poetik, por si mundësi që këto vargje njëkohësisht të lexohen edhe nga lexuesit në gjuhën greke, pasi libri, është shtypur në dy gjuhë: shqip dhe greqisht. Në aspektin strukturor, faqet e librit janë të plotësuara njëtrajtshëm në të dyja gjuhët. Për variantin në gjuhën greke është përkujdesur përkthyesi Iliaz Bobaj. Emër i njohur në këtë fushë, dhe jo vetëm. Duke njohur aktivitetin dhe punën e Bobajt në fushën e përkthimit, besojmë se ndjesinë e vargut në shqip e ka bartur suksesshëm edhe në greqisht.

Kjo vepër, shtypur në dy gjuhë nga botuesi Armagedoni, mbetet një shembull i mirë i një letërsie të vlerësuar që në start.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori fitues i Oskarit, Mel Gibson, ka zbuluar se shtëpia…