Vetteli dorëzohet në garë për titull
Vendi i pestë në garën e Francës dhe fakti se makina Ferrari për asnjë moment nuk arriti të duelojë me Mercedesin ka sjellë pesimizëm te Sebastian Vettel. Piloti gjerman i “kokëkuqes” ka hequr përfundimisht dorë nga titulli kampion në Formula 1, duke u shprehur se rivaliteti me makinën Mercedes është i pamundur. Të paktën për momentin.
“Vështirë të gjesh diçka pozitive nga kjo fundjavë. Leclerc u rendit i treti, ky është një ngushëllim i vogël. Gjithsesi, nuk jemi në gjendje të duelojmë me Mercedesin, kjo është e dukshme. Lewis pati një tjetër garë të lehtë, kjo ndoshta edhe për fajin tonë. Makina Ferrari nuk është ende mjaftueshëm e shpejtë”, ka thënë Vettel.
“Unë e di që në Maranello punojnë fort, me shumë pasion por edhe presion për të sjellë një Ferrari kompetitiv në garë. Shpresoj që në Austri gjërat të shkojnë më mirë”, u shpreh Vettel, 4 herë kampion bote në Formula 1, por asnjë titull me Ferrarin. Ai ka 76 pikë më pak se Hamilton në renditje.