Vetteli heq dorë nga titulli
Një tjetër garë për t’u harruar e Sebastian Vettelit, që në pistën e Silverstones u rendit në vendin e 16 pas aksidentit me Max Verstappen dhe penalizimit që mori nga komisarët e pistës.
Piloti i Red Bullit parakaloi Vettelin, që në përpjekje për ta rimarrë pozicionin gaboi, frenoi me vonesë dhe përfundoi në pjesën e pasme të makinës së holandezit.
“Ishte një gabim imi. Mendova se kisha hapësirën e duhur për ta parakaluar, por ishte vonë. Nuk mund ta evitoja aksidentin. Megjithatë, deri në atë çast gara po shkonte mirë. Bëra një gabim dhe e pësova, pasi nuk pata me kohë për ta korrigjuar gabimin”, u shpreh Sebastian Vettel.
“Makina ishte e shpejtë dhe isha i kënaqur me ritmin që Ferrari kishte në garë. Megjithatë, tashmë Hamiltoni është shkëputur shumë, ndaj botërori mund të konsiderohet i mbyllur. Gabimet, herë të Ferrarit e herë të pilotëve, na penalizuan këtë sezon deri më tani”, tha Vetteli, që është 100 pikë pas Hamiltonit në renditje.