Vetteli: Jemi rivalë, por asnjë konflikt me Hamiltonin
Piloti gjerman Sebastian Vettel, fitues i garës së parë sezonale në Botërorin e Formula 1, shprehet se me Lewis Hamiltonin nuk e lidh ndonjë miqësi e veçantë, por as nuk ka ndonjë konflikt me të.
Vetteli shprehet se me pilotin britanik të Mercedesit janë rivalë të fortë në pistë dhe vetëm kaq, edhe pse gjatë sezonit të kaluar kanë pasur disa herë fërkime në pistë, siç ishte gara e zhvilluar në Baku.
“Mendoj se të dy jemi aq të pjekur sa për të mos rënë në atë nivel dhe të bëjmë sherre”, ka thënë Vetteli. “Për sa kohë që argëtohemi në pistë dhe ruajmë një marrëdhënie normale mes nesh, mendoj se gjërat janë në rregull. Jemi dy persona të ndryshëm, por kemi të njëjtin pasion për garat dhe të dy duam të fitojmë për ta mposhtur njëri-tjetrin”, ka shtuar Vetteli. Të dy pilotët kanë nga katër tituj kampionë bote, ndaj ky sezon është i rëndësishëm për ta, pasi secili kërkon të tregojë se është më i miri. “Ka për të qenë një sfidë e bukur në pistë, që do t’i bëjë mirë kampionatit”, ka deklaruar Vetteli.