Vetteli: Jemi vonuar në gjetjen e gabimeve
Sebastian Vettel mirëpriti rikthimin në formë të Ferrarit gjatë Çmimit të Madh të Amerikës të së dielës, por theksoi se ekipit i është dashur shumë kohë për të kuptuar gabimet në programin e vet të zhvillimit.
Katër herë kampioni i botës në Formulën 1, i cili mbajti gjallë shpresat për titull me vendin e 4-t, pas krahëve të Lewis Hamilton me Mercedes, tha se skuadra nuk e kishte kuptuar çfarë kishte shkuar keq me përmirësimet e tyre.
Ferrari braktisi përditësimet më të fundit dhe iu rikthye specifikimeve të vjetra të makinës në pistën e Austin të Teksasit, ndaj dhe u shpërblye me fitoren e parë të Kimi Raikkonen për “kokëkuqen” që prej vitit 2009.
Shpresat e gjermanit për fitore, për të ngushtuar diferencën për titull, pësuan një goditje të fortë kur Vettel u përplas me Red Bullin e Ricciardos në xhiron e parë.
“Ju mund ta konsideroni si një lajm të mirë, por edhe si një lajm të keq. U desh shumë kohë! Nëse neve na u desh të ktheheshim te një makinë konkurruese e 3 apo 4 muajve më parë, sigurisht që nuk mund të jetë lajm i mirë. Për ne, në aspektin teknik, e rëndësishme është të kuptojmë se çfarë shkoi keq”.
E për këtë, ai tha se nuk ka një shpjegim të thjeshtë. “Me bindje mund të them se kemi parë një makinë jo aq të fuqishme sa më parë, por për sa kohë që nuk e kupton çfarë shkon keq, atëherë nuk ke si ta dish që gjërat nuk po shkojnë mirë. E sigurt është që kemi bërë diçka gabim dhe nuk e kemi kuptuar ende edhe sot, madje as kur ka nisur ekzaktësisht gabimi”, shtoi gjermani i Ferrarit. Në fund ai tha se, edhe gabime të tjera, përfshi këtu ato të strategjisë nga skuadra, kanë ndihmuar në zmadhimin e problemeve bazike me përmirësimin e makinës.