Vetteli mund të zë vendin e Hamiltonit te Mercedesi
Epoka post-Hamilton tashmë ka filluar te Mercedes, që kërkon të gjejë një zëvendësues të denjë për britanikun, që do të shkojë te Ferrari vitin 2025. Të skuadra gjermane janë në mëdyshje nëse të sjellin një pilot me përvojë apo një të ri.
Te Mercedes kanë britanikun tjetër George Russell, i rritur në akademinë e Mercedes, i cili do të duhet të mbajë mbi supe ekipin nga viti 2025. Por kush mund ta zëvendësojë Lewis për t’u bashkuar me të? Nuk mungojnë alternativat, duke qenë se në fund të vitit skadojnë kontratat e Esteban Ocon, Alexander Albon, Pierre Gasly, Daniel Ricciardo, Carlos Sainz dhe mbi të gjitha Fernando Alonso.
Por ka një tjetër skenar të bujshëm sipas të cilit Sebastian Vettel mund të rikthehet në garat në Formula 1 nga viti 2025, duke u ulur pikërisht në makinën Mercedes. Katër herë kampioni i botës, i cili doli në pension në fund të vitit 2022 pas dy viteve zhgënjyese me Aston Martin, ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në garat e Formula 1.
Vettel ka patur kontakte me Audi, i cili do të bëjë debutimin zyrtar në vitin 2026, pasi të bëhet aksioner i Sauber. Por gjermani tani mund t’i drejtohet edhe Mercedes të paktën për një vit, duke qenë se vendi i Hamilton do të jetë i lirë. Lidhja midis Vettel dhe Mercedes u hipotezua edhe në vitin 2020, kur Ferrari nuk e rinovoi kontratën e tij, por Toto Wolff mori Russell.