Vetteli nga Ferrari mund të kalojë në McLaren
Kontrata e Sebastian Vettelit me Ferrarin është e vlefshme edhe për një vit, pra skadon në fund të vitit 2020, por gjermani nuk e ka të qartë se në Maranello do t’ia ofrojnë rinovimin.
Paraqitja e tij jo fort bindëse në tri sezonet e fundit dhe shpërthimi i Charles Leclerc duket se kanë ndikuar në mendimin që kanë drejtuesit e “Kokëkuqes” për të ardhmen. Lajmet e publikuara në shtypin francez në lidhje me kontaktet e Lewis Hamiltonit (nuk mohohen askund) me presidentin e Ferrarit dhe të grupit FIAT, John Elkan, nuk sugjerojnë se e ardhmja e Seb mund të jetë sërish në Maranello.
Për këtë arsye ai ka nisur të mendojë për opsione të tjera, ku do të ndihej më i sigurt. Siç ka mësuar “Marca”, Vetteli ka nisur kontaktet me Andreas Seidl, drejtorin sportiv të McLaren F1, për të qenë pilot i kësaj skuadre nga viti 2021, duke marrë parasysh faktin që McLareni është një nga makinat në rritje dhe se brenda dy vjetëve do të ketë motorë Mercedes. Merkatoja e vitit 2021 në Formula 1 duket se do të ofrojë lëvizje të rëndësishme, që mund ta prekin edhe Max Verstappen, përveç Hamiltonin.