Vetteli ‘zbulon’ Aston Martin: Do të jetë sezoni i surprizave
Pas Haas dhe Red Bullit, një tjetër makinë e Formulës 1 është paraqitur në prag të sezonit të ri. Bëhet fjalë për Aston Martin, që do të quhet AMR22 dhe që do të pilotohet nga gjermani Sebastian Vettel e kanadezi Lance Stroll.
Madje makina do të zbresë që në pistën e Silverstones, për të përshkruar 100 km e lejuara për “filmin day” (dita e filmimeve).
“Do të jetë një sezon me shumë të papritura në fillim. Personalisht jam entuziast, pasi këtë vit do të ketë shumë të reja, të cilat ne mezi presim t’i zbulojmë. Kjo gjë vlen për të gjitha skuadrat, pasi rregullat e reja mund të sjellin surpriza në pistë. Ky është një projekt i jashtëzakonshëm, që kërkoi shumë punë”, u shpreh Vettel, katër herë kampion bote në Formula 1.
“E vështirë të thuash se çfarë pres nga kjo makinë dhe ky sezon, pasi ka shumë gjëra të reja. Ne synojmë të jemi sa më pranë makinave të kreut. Personalisht jam në formë. Jam përgatitur mirë dhe kam pushuar gjatë”, ka deklaruar Vetteli gjatë paraqitjes të njëvendëshes Aston Martin.