Vettingu duhet të niset nga Prizreni
Shkruan: Gent Gjini
Sot procesi i vettingut është domosdoshmëri e kohës si rezultat i rrethanave të padëshiruara dhe të krijuara në sistemin e drejtësisë. Prandaj, ky mekanizëm duhet patjetër të instalohet nga legjislatura e re duke u rregulluar me ligj të veçantë me (ndryshim plotësim të Kushtetutës), me qëllim të krijimit të mekanizmave për ta filtruar sistemin e (pa)drejtësive në Kosovë, ku si qëllim ka pastrimin e sistemit nga korrupsioni, nepotizmi, klanet, nga etika e munguar, profesionalizmi dhe rezultatet e padëshiruara dhe të dobëta që ka prodhuar sistemi i drejtësisë nga kjo çfarë kemi tani.
Në parim, duke qenë të vetëdijshëm që i tërë sistemi i drejtësisë është i ngecur, si në gjykata dhe në prokuroritë e Kosovës, pa dyshim se vittingu duhet të fillojë me Prizrenin. Në sistemin e drejtësisë në Prizren kanë ndodhur gjëra të shumta të cilat në një formë apo në tjetrën e rrumbullakojnë padrejtësinë në mënyrë më virtuale, me të drejtpërdrejtë në raport me dukuritë negative që ka ajo sot. Për të argumentuar këtë konstatim do t’i përshkruaj disa nga veçoritë e saj: Në vitin që lamë pas misioni i USAID-it në bashkëpunim me OJQ-në “Demokracia +” kanë prezantuar hulumtimin rreth transparencës dhe efikasitetit të gjykatave themelore të Kosovës, e cila përmban rezultatet e anketave rreth kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e gjykatave sipas vlerësimit të avokatëve.
Nga gjetjet e këtij raporti, Gjykata Themelore në Prizren është ranguar si më e korruptuara. Tani duke i kuptuar këto rezultate të cilat janë të mbledhura në mënyrë të fakteve dhe provave, si dhe nga një mision reprezentativ i rangut botëror që si rol ka monitorimin dhe fuqizimin e drejtësisë nëpër gjykata si ajo e USAID-it, ky hulumtim ka konstatuar se Gjykata e Prizrenit shpallet kampione e korrupsionit. Por nga ky rezultat dhe ky konstatim mjaft alarmant çfarë u ndërmor? Kush reagoi? Pra, askush. Gjërat edhe më pas ngelin ato çfarë janë, pa dhënë përgjegjësi dhe llogari ligjore askush, apo që të paktën të dilet me një qëndrim nga zyrtarët e këtij institucioni në mënyrë që të bëhen reforma dhe rikuperohen gjërat, duke filluar me komisionet apo procedurat disiplinore, po ashtu duke filluar edhe procedurat penale për aktorët ata të cilët kanë kontribuar në këtë çështje. Dukuri tjetër negative e cila kërkon ndërhyrjen imediate të vettingut në sistemin e drejtësisë në Prizren, është edhe dukuria e nepotizimit, përkatësisht familjarizimit, që janë të punësuar në këtë gjykatë, duke mos përjashtuar edhe institucionin e prokurorisë. Si dukuri apo fenomen që shihet shumë normale në qytetin e Prizrenit. Pra, edhe kjo dukuri lidhur me nepotizmin është argumentuar edhe në emisionin e “Insajderit” “Drejtësia në rrjetin e merimangës”, e cila shumë bukur tregon mënyrën e rekrutimeve te punësimet të vlerësuara jo mbi baza të meritës dhe profesionalitetit, por nga bazat dhe lidhjet familjare. Përkundër kësaj, kush mori mësim nga kjo? Askush. Kush reagoi, askush?
Ndërkaq Agjencia Antikorrupsion çfarë bën? A mund të më shpjegojë dikush? Kur punësimet në këtë gjykatë dhe prokuroritë shumica janë (puro familjare) dhe me konflikte të hapura të interesit. Aq më shqetësuese situata bëhet se nga mungesa e rezultateve për mosreagim të luftimit të këtij fenomeni, dukuritë si këto normalisht se më pastaj bëhen inkurajuese dhe shndërrohen në praktikë të heshtur e të pranuar si vazhdimësi e të ashtuquajturës (punësime familjare).
Misioni i vettingut patjetër duhet të instalohet sepse, përveç të tjerash, këtu duhet të shikohet edhe ana profesionale e njohurive dhe ajo e etikës për t’u kuptuar se si janë bërë disa individë gjyqtarë dhe prokurorë. Sot shoqëritë civile janë monitoruesit që në vazhdimësi kanë kritikuar dhe vazhdojnë ta kritikojnë mënyrën e rekrutimeve për gjyqtarë dhe prokurorë, të pranuar mbi baza të klaneve, politikës dhe familjarizimit.
E tani përderisa OJQ-të shprehin hapur këtë shqetësim fare lehtë dhe me logjikë të thjeshtë, mund ta kuptojmë se deri ku ka arritur të shtrihet, përkatësisht depërtuar nepotizmi (me të njohshëm) për t’u bërë gjyqtarë e prokurorë, dhe tani për çfarë profesionalizmi mund të flasim.
Sot jemi dëshmitar që lëndët civile nuk caktohen dhe nuk zgjidhen në kohë të arsyeshme, ato mbeten në sirtarë të pluhurosur. E në anën tjetër, jemi dëshmitar se sot gjyqtarët dhe prokurorët janë më të privilegjuarit sa i përket marrjes së pagave me rritje 100 për qind. Pra edhe kjo dukuri vlerësohet absurde. Pagat janë rritur, gjyqtarët janë shtuar, ndërsa lëndët mbeten të pazgjidhura dhe të harruara. Në veçanti kur është fjala për ata qytetarë të shkretë të cilët mbajnë shpresën në ato lëndë që drejtësia të vendos në kohë të arsyeshme, konform rrethanave të kohës dhe nevojave urgjente të cilat kërkohen.
Vettingu përveç tjerash duhet të jetë mekanizëm që duhet të sheh edhe pasurinë e fituar se sa ato përputhen me standardin e pagës që marrin sot gjyqtarët dhe prokurorët. Të kërkoj prejardhjen e pasurisë së fituar dhe në çfarë mënyre ajo pasuri është fituar dhe sa prej pasurive janë të deklaruara në Agjencinë Antikorupsion. Edhe kjo është një sfidë që sot e pengon sistemin e drejtësisë.
Këto janë disa prej arsyeve të cilat e karakterizojnë sistemin e drejtësisë në Prizren. Pra, vettingu duhet të fillohet me padrejtësitë nga Prizreni në mënyrë që dukuritë si të lartpërmendurat të largohen. Duke filluar nga shkarkimet e të punësuarve mbi baza familjare, klanore dhe shkarkimet për të korruptuarit. Po ashtu, paralelisht me këto të fillohen edhe inicimet e procedurave penale dhe konfiskimet e pasurive, për ata që kanë degdisur dhe që e kanë sjell në këtë derexhe sistemin e drejtësisë. Për ne mjafton ta shikojmë vettingun si ajo në shtetin e Shqipërisë që padyshim ka shënuar dhe vazhdon të shënojë progres të madh prioritar.