Vetura bie në lumin ‘Morava’, polica dhe një qytetar u shpëtojnë jetën tre personave
Më 24 qershor në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës (PK) në Gjilan është informuar për një vetaksident ku një veturë me katër persona kishte ra në lumin “Morava” në hyrje të fshatit Uglar të komunës së Gjilanit.
Policia nga stacioni policor i Gjilanit, pasi ka marrë këtë informatë ka dalë menjëherë në vendin e aksidentit.
Në përpjekje për t’i shpëtuar të aksidentuarit, që kishin rënë me automjet në lumin e “Moravës së Binçës” policët së bashku me një qytetar nga Uglari kanë hyrë në lum dhe kanë arritur të shpëtojnë tre të aksidentuarit që ishin ngujuar dhe fundosur nga automjeti i përmbysur në këtë lumë.
Policia dhe qytetari i kanë nxjerr të gjallë tre të aksidentuarit dhe i ka dërguar menjëherë në spitalin e Gjilanit për trajtim mjekësor, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti, ka mbetur e vdekur pasagjerja, shtetase e Shqipërisë.
Policia me këtë rast ka falënderuar gjestin human dhe shembullor të qytetarit Arben Shabani i cili rrezikoi jetën e tij për t’i shpëtuar të aksidentuarit.