‘Vetura inteligjente’ e policisë identifikon kundërvajtësit në trafik
Ka tash e disa javë që Policia e Kosovës është bërë me vetura inteligjente. Ato arrijnë që në lëvizje t’i kapin në 360 shkallë kundërvajtësit në trafik. Policia e Kosovës po shprehet e kënaqur me efektin që ka pasur përdorimi i këtyre mjeteve në kapjen e kundërvajtësve të trafikut.
Ka tash e disa javë që Policia e Kosovës është bërë me vetura inteligjente. Ato arrijnë që në lëvizje t’i kapin në 360 shkallë kundërvajtësit në trafik. “Vetura inteligjente” ua ka bërë më të lehtë punën policëve të trafikut gjithandej Kosovës.
“Mundem me e rregullua shpejtësinë në bazë të vendit ku jemi. Këtu është zona 60, edhe çdo kundërvajtje çka bëjnë në këtë shpejtësi na lajmëron”, ka thënë Teki Syla, Komandant i trafikut Pejë.
Në këtë zonë, mbi këtë shpejtësinë e lejuar lëvizi kjo veturë. Shoferit, menjëherë i shqiptohet dënimi, raporton RTV “Dukagjini”.
“Vetura inteligjente”, përveç automjeteve para saj, ka nën vëzhgim edhe të gjitha mjetet e tjera përreth saj. “I matë lëvizjet edhe në anën e kundërt. Kjo tash printohet edhe i dërgohet palës”, ka sqaruar Teki Syla – Komandanti i trafikut Pejë.
I gjithë ky proces kryhet nga pjesëtarët e policisë në terren.
“Ka qenë e nevojshme, shpresojmë dhe besojmë që do të pajisemi përsëri për arsye se po shihet rezultati në teren. Natyrisht se në muajin shtator ka nisur aksidentet me ra, mirëpo gjithsesi edhe kjo veturë ka bërë që ne të kemi një numër më të vogël të aksidenteve”, ka rrëfyer Teki Syla – Komandanti i trafikut Pejë.
Këtë risi në Policinë e Kosovës, e kanë mirëpritur edhe qytetarët.
Me këto vlerësime të qytetarëve, është i kënaqur komandanti i trafikut në Pejë, Teki Syla.
“Shihet se qytetarët e kanë mirëpritur, shihet që qytetarët kanë edhe mirëkuptimin gjatë vozitjes së tyre. E kanë pa që puna policore e ka rritë efektin e vet me këto vetura”.
Syla ka theksuar se tash kur reshjet e shiut kanë filluar, edhe aksidentet janë më të shpeshta.