Veturat me naftë në Evropë në pikën më të ulët të shitjes
Tregu Evropian i makinave ra me 3.6% muajin e kaluar dhe është muaji i shtatë me radhë në tatëpjetë. Pas kësaj rënie fshihet padyshim ndalimi i makinave me naftë nëpër qytete të mëdha, rënia e besueshmërisë tek konsumatorët dhe Brexiti.
Sipas statistikave të Jato Dynamics, në mbarë kontinentin janë regjistruar 4.13 milionë makina të reja në muajin Mars, 3.2% më pak sesa për të njëjtën periudhë një vit më parë.
Kërkesa për makina me naftë ra ndjeshëm dhe në Mars përbënin vetëm 31.2% të të gjitha makinave të shitura. Vitin e kaluar ishte 36.2% ndërsa në Mars 2017 44.8%.
Por ka edhe lajme të mira sepse muajin e kaluar numri i makinave elektrike të shitura, përfshirë këtu edhe hibridët, kaloi për herë të parë shifrën e 100,000.
Gjatë Marsi janë regjistruar plot 125,400 makina elektrike ku kërkesa u rrit me 31% në tregje si Holanda, Spanja, Norvegjia dhe Gjermania.
Tesla Model 3 ishte makina elektrike më e shitur me 15,755 njësi të regjistruara në Mars. Ajo është shitur 3 herë më shumë sesa makina e dytë më popullore elektrike në Evropë, Renault Zoe.
Një tjetër trend që spikati muajin e kaluar ishte rënia e segmentit SUV. Megjithatë mbetet sektori më popullor me 650,000 makina të regjistruar në Mars.
Volkswagen Golf është makina më popullore pavarësisht rënies së volumit me 14%. Opel/Vauxhall Corsa gjithashtu pati rritje të fortë në Britani, Francë dhe Gjermani.